Përsëritja e veprave penale nga recedivistët, kërkohet ashpërsimi i dënimeve

Të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë në Malishevë, Astrit Isufi i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. E kaluara kriminale e tij, tregon se Isufi ishte dënuar më herët për dhunë në familje, dënim i cili më pas i ishte ulur. Për recidivistët, avokatët theksojnë nevojën e ashpërsimit të dënimeve, gjersa Instituti i Kosovës për Drejtësi thekson se bazuar në monitorimin e tyre, gjykatat karakterizohen me shqiptim të dënimeve të buta

Një muaj paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore e Gjakovës Astrit Isufit, i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në Golluboc të Malishevës.

Seanca u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku i dyshuari ka qenë duke u trajtuar deri sot pasdite.

Siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, shkak i këtij incidenti ishte bërë një fjalosje mes palëve, kur Isufaj kishte shkuar ta merrte bashkëshorten pas ceremonisë së varrimit të babait të saj.

Vëllezërit e saj, tani të ndjerë, kishin nisur një fjalosje marrë parasysh dhunën e ushtruar ndaj motrës së tyre nga Isufaj, fjalosje kjo që dyshohet se çoi deri tek të shtënat.

Por i dyshuari Isufaj, përballjen me organet e drejtësisë nuk e ka për herë të parë.

Në prill të këtij viti, ai ishte arrestuar për dhunë në familje ndaj gruas së tij për çka, ishte dënuar me 5 muaj burgim burgim dhe 800 euro gjobë. Por, dënimi i ishte ulur nga Gjykata e Apelit në prill të këtij viti, në 3 muaj burgim e që ndërkohë, i ishte ngritur aktakuzë tjetër për dhunë në familje.

Për recedivistët, avokatë vlerësojnë se ka nevojë që dënimet të ashpërsohen, e jo të ulen.

”Fakti që po përsërisin veprat, duhet rishikuar politika ndëshimore por edhe politika e ekekzutikimit të sanksioneve penale. E dhe me rastin e përcaktimit të shkallës, lartësisë së dënimit, recedivizmi apo përsëritja e veprës është një prej rrethanave rënduese që gjykata duhet ta marrë parasysh në lartësinë e dënimit. Duhet rishikuar dhe ashpërsuar sanksionet penale për veprat penale me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me “dhunën në familje” për faktin se një fenomen i tillë është mjaft i shpeshtë në shoqërinë tona. Ndërsa në rastin konkret kur kemi të bëjmë me elementet e vrasjes së rëndë, shkalla e ndëshkueshmërisë është jo më pak se 10 vite burgimi mirëpo mund të shkojë edhe me burgim të përjetshëm”, ka thënë Ardian Bajraktari-Avokat.

Gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka theksuar se në rastet e politikave ndëshkimore të rasteve penale, gjyqtarët karakterizohen me ndëshkime të buta.

“Gjetjet kryesore të IKD-së për veprat e armëmbajtjes pa leje në periudhën 2022-2024 shumica e dënimeve ishin me gjobë, ndërsa dënimet me burgim janë jashtëzakonisht të rralla. Konkretisht: nga 147 raste të analizuara, 128 dënime ishin me gjobë, 18 me burgim me kusht, dhe vetëm 1 rast me burgim efektiv. Gjyqtarët duhet të ndalojnë praktikën ku kanë më shumë mëshirë për kryesin e veprës penale se sa për viktimën e krimit”, ka thënë Ehat Miftaraj – Drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Mes të tjerash, IKD thotë se gjetjet e saj tregojnë se gjykatat aplikojnë më shpesh rrethanat lehtësuese.

Ndërkaq, aplikimi i rrethanave rënduese, sipas Institutit, është shumë i rrallë ose, jo i argumentuar mjaftueshëm.

 

Të fundit nga rubrika