Pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë kundërshtuar deklarimet e disa kolegëve të tyre të Këshillit, të cilët pretendojnë se kanë qenë subjekt i “kërcënimeve” gjatë zhvillimeve të fundit brenda institucionit. Në një deklaratë për media, ata i quajnë këto pretendime “të pavërteta” dhe “të pabazuara”.
“Asnjë fakt, provë apo element objektiv nuk është paraqitur për të mbështetur pretendime të tilla”, thuhet në komunikatën e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Në deklaratë theksohet se çdo dyshim i bazuar për ndonjë kërcënim duhet të raportohet menjëherë te organet kompetente të sigurisë dhe jo të publikohet në mënyrë që, sipas tyre, “mund të krijojnë perceptim të rremë, të deformojnë realitetin dhe të dëmtojnë para opinionit publik reputacionin e Këshillit Prokurorial të Kosovës si institucion kushtetues”.
Pesë anëtarët nënvizojnë se takimi i KPK-së ishte “plotësisht i hapur dhe transparent”, i zhvilluar në prani të publikut dhe mediave. Sipas tyre, “katër (4) anëtarë të Këshillit, përfshirë Ushtruesin e Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kanë zgjedhur ta braktisin takimin me vullnetin e tyre, pa pasur asnjë kërcënim apo presion nga ndonjë anëtar tjetër i Këshillit”.
Ata shtojnë se çdo anëtar i KPK-së gëzon pavarësi funksionale dhe imunitet në ushtrimin e detyrave të tij, siç përcaktohet me Kushtetutë dhe legjislacion. “Për këtë arsye, deklarimet që aludojnë në presione ose kërcënime ndaj anëtarëve janë të papranueshme, të pajustifikuara dhe të pambështetura në ndonjë fakt juridik apo procedural”, thuhet në deklaratë.
Këshilli Prokurorial ka paralajmëruar mbajtjen e një takimi të jashtëzakonshëm për këtë çështje, duke shtuar se “do të mbetet i përkushtuar tërësisht në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të kujtdo për të penguar këtë synim”.
Për situatën ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo deklaroi se, pas informacioneve se pesë anëtarë të KPK-së nuk ndihen të sigurt, ka vepruar në koordinim me qeverinë.
“Është e pafalshme që 26 vjet pas luftës ne të kemi anëtarë të KPK-së qofshin ata prokuror apo joprokuror që nuk ndihen të sigurt apo të kërcënuar”, tha Osmani, duke shtuar se është me rëndësi që ata “të ndihen të sigurt dhe të kenë mundësi të shprehin qëndrimet e tyre”.
Ajo theksoi se sistemi i drejtësisë prej vitesh përballet me sfida të profesionalizimit, integritetit dhe pavarësisë. “Është me rëndësi që deklaratat e mia të mos shihen si ndonjë ndërhyrje, sepse jam person politik që kurrë në karrierën time nuk kam ndërhyrë në sistemin e drejtësisë”, u shpreh presidentja, duke kërkuar hapësirë “për analizën e përbashkët që e kemi me partnerët tanë lidhur me procesin që ka ngjarë sa i përket tentim-shkarkimit”.