Policia e Kosovës ka raportuar për pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në disa komuna të vendit.
Në Podujevë, rreth orës 01:30, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një burri, i cili ka pranuar tretman mjekësor. E dyshuara, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.
Një tjetër rast është raportuar në Prishtinë rreth orës 11:30, ku pas një mosmarrëveshjeje, një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në polici dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Po ashtu në Podujevë, rreth orës 17:00, një grua është sulmuar fizikisht dhe është kanosur me thikë nga një burrë. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Fushë Kosovë, rreth orës 18:30, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht një grua pas një mosmarrëveshjeje. Viktima nuk ka kërkuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Gjakovë rreth orës 17:30, një burrë nën ndikimin e alkoolit dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.
Policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet janë duke u trajtuar sipas procedurave ligjore.