Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq i cilësoi si të pasakta deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me rregullat për regjistrimin e shtetasve të huaj dhe integrimin e arsimit dhe shëndetësisë në komunat me shumicë serbe në sistemin e Kosovës.
Petkoviq pretendon se kjo nuk nënkupton integrimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor serb në sistemin e Kosovës duke thënë se këtë, sipas tij, e ka konfirmuar edhe ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialog, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në Prishtinë.
“Ne e dimë shumë mirë se çfarë është politika e Kurtit dhe se qëllimi i tij është një desant mbi institucionet tona arsimore dhe shëndetësore, por me zgjidhjen europiane të arritur një skenar i tillë është parandaluar dhe është bërë e qartë pa mëdyshje se ekziston detyrimi i Prishtinës për t’i respektuar marrëveshjet e arritura, ndër të cilat më e rëndësishmja është formimi i Asociacionit të komunave serbe”, tha Petkoviq, siç raporton mediumi lokal serb, Radio Kontakt Plus.
Ai pretendoi se nga BE-ja është njohur nevoja për funksionimin e papenguar të shëndetësisë dhe arsimit paralel serb në Kosovë.
“Askush nuk ka dilemë dhe as nuk mashtrohet për atë se cili ishte qëllimi i Kurtit dhe çfarë do të kishte bërë më 15 mars. Megjithatë, të gjitha planet e dëmshme janë penguar, sepse funksionimi i sistemit arsimor dhe shëndetësor serb është çështje e mbijetesës së popullit serb”, tha ai.
Integrimi i arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Kosovës, Petkoviq tha se “është pjesë e fushatës” së Kurtit dhe se “shërben për përdorim të brendshëm politik”.
Kurti foli sot për integrim gradual të arsimit dhe shëndetësisë në komunat me shumicë serbe, në sistemin e Kosovës.