Petkoviq: Në rundin e ri të dialogut flasim për Asociacionin

Drejtori i Zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 18 prill se rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paraparë të mbahet më 2 maj në Bruksel, do t’i dedikohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai ka thënë se do të ndërmerren “hapat më konkretë” përkitazi me formimin e Asociacionit, jo siç dëshiron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “por, siç është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve nga vitet 2013 dhe 2015”.

Petkoviq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se pika e parë është prezantimi i projektstatutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues, pasuar nga një diskutim për propozimin, i cili duhet të përfshijë të gjitha pikat e parimeve të përgjithshme nga viti 2015.

“Ne do të ngulmojmë për këtë, kjo është në frymën e marrëveshjes dhe për të jemi marrë vesh në Ohër. Sigurisht, ne duhet të ngulmojmë për këtë, se pa Asociacionin është thjesht e pamundur të flitet për diçka tjetër”, ka thënë Petkoviq, shkruan REL.

Siç është bërë e ditur në javën e parë të prillit, Ekipi Menaxhues duhet, deri në fund të muajit, të propozojë një projektstatut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo është konfirmuar nga kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petkoviq, pas takimit mes tyre në Bruksel, më 4 prill.

Megjithatë, nuk dihet saktësisht se kush e përbën këtë ekip, që është ngarkuar me detyrën për hartimin e statutit të Asociacionit. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar Qeverisë së Kosovës, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të sigurojë emrat e personave që janë pjesë e Ekipit Menaxhues.

Petkoviq ka thënë për RTS-në se Kosova ka refuzuar ta formojë Asociacionin që fiks 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe ka pohuar se komuniteti ndërkombëtar bart përgjegjësi të veçantë për këtë.

“Kur e shikoni çdo gjë që ka ndodhur në 10 vitet e fundit, do të shihni se komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian dhe ata që e kanë mbështetur procesin e dialogut – bartin një përgjegjësi të veçantë, sepse ata ishin të obliguar t’i bënin trysni Prishtinës për formimin e Asociacionit”, ka deklaruar Petkoviq.

Sipas tij, Asociacioni përbën “themelin e procesit të dialogut”, dhe se Serbia ka hyrë në këtë proces për të siguruar të drejtat kolektive dhe individuale për popullin serb, përmes atij Asociacioni, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshje të tjera.

Ai ka theksuar se Asociacioni është kusht kyç i Beogradit për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, dhe se, sipas Marrëveshjes së Ohrit, formimi i tij është obligim i parë për Kosovën.

Më 19 prill të vitit 2013, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkruan “Marrëveshjen e Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Brukselit.

Marrëveshja, e cila ka 15 pika, parasheh formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe integrimin e policisë dhe gjyqësorit nga veriu i Kosovës në kornizën institucionale të Kosovës.

Shija e redaktorit

Për nder të 32-vjetorit të themelimit, shtëpia botuese “Dukagjini” dhuron...

E themeluar më 14 mars 1994, në një periudhë sfiduese për librin, arsimin dhe kulturën shqiptare në Kosovë, shtëpia botuese “Dukagjini” sot shënon 32-vjetorin...

Ekskluzive: Kosova mundëson riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë-Hercegovinës nga Riadi...

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka organizuar riatdhesimin e shtetasve të Bosnjë dhe Hercegovinës me një fluturim nga Riadi drejt...

Dukagjini Resort dhe The Northern prezantohen në panairin më të...

Projekti Dukagjini Resort së bashku me The Northern do të marrin pjesë në MIPIM Cannes, panairin më të madh ndërkombëtar patundshmërisë në botë. Projekti do...

Të fundit nga rubrika