Një pikë kufitare që lidh Irakun me Iranin është goditur nga një sulm ajror, ndërsa agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Tasnim raporton se një civil irakian është vrarë në këtë sulm.
Kreu i Autoritetit të Porteve Kufitare të Irakut, Omar al-Waeli, njoftoi pezullimin e trafikut komercial dhe lëvizjes së udhëtarëve përmes pikës kufitare Shalamcheh si pasojë e sulmit ajror.
Ky vendim, sipas tij, erdhi pas një sulmi ajror në anën iraniane, i cili rezultoi me vdekjen e një shtetasi irakian dhe plagosjen e pesë të tjerëve pranë pikës kufitare irakiane, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Video që po qarkullojnë në rrjetet sociale nga vendngjarja tregojnë tym të zi të dendur dhe dëme të shkaktuara në brendësi të ndërtesës.
Zakonisht, pika kufitare Shalamcheh përdoret nga udhëtarët irakianë dhe iranianë për të hyrë dhe dalë me rrugë tokësore, veçanërisht gjatë sezonit të festave dhe periudhave të pelegrinazhit fetar.
Gjatë Luftës Iran–Irak në vitet 1980, kjo pikë kufitare u bë një nga vijat kryesore të frontit të luftës. Forcat irakiane e përdorën atë si një rrugë kyçe pushtimi në fillim të konfliktit, dhe zona përjetoi disa nga betejat më të ashpra dhe më vdekjeprurëse të asaj lufte.