Pisonero: Pa normalizim të raporteve, Kosova dhe Serbia rrezikojnë të humbasin shanse të mëdha

Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve, në të kundërtën të dy vendet rrezikojnë të humbasin shanse të rëndësishme, thotë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero

Flamuj të BE-së pranë ndërtesës së Komisionit Evropian në Bruksel.

Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve, në të kundërtën të dyja vendet rrezikojnë të humbasin shanse të rëndësishme.

Kështu thuhet nga zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez, në një përgjigje për Portalin Dukagjini.

Ajo thotë se për të përfituar nga instrumenti i ri financiar i BE-së, Kosova dhe Serbia kanë normalizimin e marrëdhënieve si kusht shtesë në krahasim me kushtet e përgjithshme që kanë vendet e tjera.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

“Në rastin e Kosovës dhe Serbisë, do të ketë gjithashtu një parakusht të përgjithshëm që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe e saj. Zbatimi i Aneksit dhe të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut të kaluar dhe përfshirja në negociata për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve. Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”, ka deklaruar Pisonero.

Ajo thotë se Plani i Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor përfaqëson një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për të përmirësuar gjendjen e tyre socio-ekonomike, duke theksuar se ky plan nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së, por një ofertë që do të plotësojë dhe përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendeve që kanë aspirata për BE.

“Plani i rritjes prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor përfaqëson një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për të rritur gjendjen e tyre socio-ekonomike. Ai përfshin akses progresiv në tregun e vetëm të BE-së, i kushtëzuar nga progresi në tregun e përbashkët rajonal të BB6 dhe mekanizma për t’i nxitur reformat. Plani i Rritjes nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së, është një ofertë që do të plotësojë dhe përshpejtojë procesin e anëtarësimit”, ka vijuar ajo.

Në aspektin politik ky kushtëzim për Kosovën po shihet si goxha kompleks.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se me një “Serbi proruse dhe prokineze” është e vështirë të ketë normalizim të raporteve.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është një hap thelbësor drejt paqes dhe stabilitetit në rajon që do të ndihmonte dy vendet të ndjekin rrugën drejt bashkëpunimit dhe mirëkuptimit. Por, me një Serbi proruse dhe prokineze është e vështirë të ketë normalizim të raporteve. Këtë fakt, Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë edhe së paku për Kosovën, e cila me kohë është orientuar nga BE dhe bazohet në vlerat e saj, prandaj duhet të jetë më tolerante ndaj Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Mospërmbushja e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në kuadër të planeve të rritjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas Hotit, mund të ketë pasoja në “shtyrjen e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, rritje të tensioneve politike në rajon dhe të nxisë konflikte të reja midis tyre dhe mund të krijojë pengesa në zhvillimin ekonomik dhe social të të dy vendeve”.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Besnik Hoti

Ai thotë tutje se nëse Kosova vendos të bëjë kompromise për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në kontekstin e planit të zgjerimit evropian, është një vendim strategjik, por siç thotë ai, ky kompromis duhet bërë duke respektuar interesat dhe aspiratat e qytetarëve.

“Kosova është e interesuar të përparojë në procesin e integrimit evropian dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një nga kushtet kyçe për këtë përparim. Nëse Kosova vendos të bëjë kompromise për normalizimin e marrëdhënieve me serbin në kontekstin e planit të zgjerimit evropian, është një vendim strategjik. Meqenëse çështja e normalizimit të marrëdhënieve është e ndjeshme për shumë qytetarë të Kosovës, është e rëndësishme që çdo kompromis të respektojë dhe t’i përfaqësojë interesat dhe aspiratat e tyre”, ka theksuar Hoti.

Se si do të ndikojë ky kushtëzim i Kosovës në aspektin ekonomik, njohësi i këtyre çështjeve, Mustafë Kadrijaj, ka thënë se nëse nuk ndodh normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, do të ketë pasoja edhe në ekonominë e Kosovës.

Sipas tij, kjo qasje e qeverisë e zbeh imazhin e Kosovës te ndërkombëtarët, sidomos në këtë kohë kur Kosova është nën masat e BE-së, gjë që, sipas tij, po rrezikon edhe investimet e huaja në Kosovë.

“Pra, me vazhdimin e bisedimeve ka përfitim ekonomik i cili do të përmirësonte të bërit biznes dhe mirëqenien qytetarit rrjedhimisht konsolidimi ekonomik na dërgon në konsolidim shtetëror, e kundërta kjo qasje kryeneçe e qeverisë po e zbeh imazhin e Kosovës te miqtë ndërkombëtarë, po ashtu tani kur flasim kemi masa ekonomike të cilat po dëmtojnë diplomacinë ekonomike të Kosovës, duke bërë që të hezitojnë investitorët e jashtëm që të investojnë në Kosovë, sepse asnjë biznes nuk rrezikon kapitalin në një shtet ku ka masa ekonomike siç është rasti i Kosovës”, ka deklaruar Kadrijaj.

Mustafë Kadrijaj – ekonomist

Eksperti i ekonomisë ka thënë tutje se Kosova duhet të jetë e orientuar në bisedime dhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët pasi çdo gjë tjetër e kundërt do të jetë fatale për shtetin dhe ekonominë e Kosovës.

“Pra, Kosova është e orientuar në sensin e bisedimeve dhe bashkëpunimit me miqtë ndërkombëtarë, përndryshe çdo logjikë tjetër është fatale për ekonominë dhe shtetin e Kosovës”, ka vijuar ai.

Ndryshe, më 7 maj, Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Me këtë miratim kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së.

Pas kësaj, vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen t’i paraqesin Komisionit Evropian agjendat e tyre të reformave, duke paraqitur reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të ndërmarrin në tre vjetët e ardhshëm.

Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.

Kur parakushtet për mbështetje nuk plotësohen ose nuk plotësohen më, BE-ja mund të vendosë të pezullojë lirimin e fondeve.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të mbulojë periudhën midis vitit 2024 dhe 2027.

Plani i Rritjes arrin shumën prej gjashtë miliardë euro për vendet e rajonit. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me këste shumë të favorshme.

Në deklaratën e lëshuar nga Këshilli i BE-së, theksohet se qëllimi kryesor është mbështetja për harmonizimin e partnerëve nga Ballkani Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, me qëllim të anëtarësimin e ardhshëm në BE, si dhe integrimin progresiv të tyre në një treg të vetëm evropian, si dhe konvergjencën socio-ekonomike me BE-në.

Burimet financiare janë planifikuar për të mbështetur një sërë reformash socio-ekonomike dhe themelore, duke përfshirë reformat që lidhen me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

Për të marrë mbështetje në kuadër të këtyre instrumenteve, vendet e rajonit duhet të përgatisin një agjendë reformash, duke theksuar reformat që planifikojnë të ndërmarrin për të arritur qëllimet.

Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mënyrës se si vendet e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojnë në përafrimin progresiv dhe të vazhdueshëm me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Parakushtet e përgjithshme për mbështetjen e BE-së, sipas Planit të Rritjes, përfshijnë mbështetjen dhe respektimin e vazhdueshëm për mekanizmat efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak, zgjedhje të lira dhe të ndershme, media pluraliste, një gjyqësor të pavarur dhe sundim të ligjit, si dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, duke përfshirë të drejtat e pakicave.

Kosova dhe Serbia kanë edhe një kusht, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika