Podujeva ende pa palestër, Komuna: Do bëhet me buxhetin e vitit të ardhshëm

Kanë kaluar më shumë se dy vite qëkur me vendim të Kuvendit të Komunës së Podujevës, u caktua lokacioni për ndërtimin e palestrës së qytetit, por punimet sot e kësaj dite ende nuk kanë filluar. Qeverisja e LDK-së nuk shprehet e habitur me mospërfundimin e saj gjersa e fton VV-në të tregohet vetkritikuese, siç kishte kritikuar në të kaluarën mospërfundimin e kësaj palestre në qeverisjet e tjera

“Bashkë me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje erdhëm për të luajtur këto por kur erdhëm, lëre që nuk u ndërtua por as që ka nisur ndërtimi i saj, përkundër që ishte premtuar nga ish-kryetari Veliu më 2017”, deklarimi i Shpejtim Bulliqit.

Ishte viti 2020 kur tani Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi kritikonte qeverisjen e komunës për mosndërtimin e Palestrës së Sporteve aso kohe.

Me ironi dhe një top basketbolli e paraqiste këtë dështim të qeverive të kaluara – sot gjersa mandatit të tij 4 vjeçar po i afrohet fundi, palestra ka mbetur po në të njëjtën fazë, në letër.

Pasi kishte fituar një grant nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit prej 2 milionë eurosh, i vetmi hap që është marrë drejt ndërtimit të saj, është ndarja e një parcele prej 48, 439 metër katror për të cilën, Bulliqi kishte kërkuar mbështetjen e Kuvendit Komunal.

Me aprovimin e shumicës së kësaj të fundit, parcela e cila është e pozicionuar afër të ashtuquajturës “zonës industriale”, u nda më 31 janar të vitit 2023. (DOKUMENT)

Por në terren, në parcelë nuk ka filluar asnjë hap e madje, nuk është vendosur asnjë shenjëzim për ndarjen e saj për këtë dedikim.

Për opozitën në komunë, një gjendje e tillë nuk përbën habi.

“Unë e kam pas edhe atëherë një debat me drejtorin e kulturës, i kam thënë që brenda një muaji nuk mundeni me nis se janë disa procedura po ai ka koqit që duhet me votu se po e nisim shumë shpejt. Siç duket, në 2025 ka therra, s’është punu asgjë”, ka deklaruar Ekrem Rrahmani – Asamblist i LDK-së në Podujevë.

E nga komuna, vonesën për realizimin e projektit e kanë arsyetuar me problemet pronësore dhe tërheqjen e grantit.

“Ka qenë një kontratë aktive nga viti 2017 për ndërtimin e Palestrës Sportive në qytet, por në atë hapësirë ka pasur probleme pronësore më pas ne kemi ndarë një hapësirë tjetër për ndërtimin e Palestrës por Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka larguar nga buxheti. Këto probleme tashmë janë tejkaluar dhe me buxhetin e vitit të ardhshëm planifikohet të ndërtohet Palestra e re sportive në Podujevë”, ka deklaruar Vlora Humolli-Jashanica – Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport.

Mes të tjerash, Humolli-Jashanica nuk ka dhënë detaje rreth lokacionit të ri dhe as arsyejeve për tërheqjen e grantit.

Shija e redaktorit

Spektakël i basketbollit të shtunën në “Karagaç” – Afrim Bilali...

Besëlidhja e Lezhës është skuadra më e suksesshme në Shqipëri vitet e fundit. Dy herë kampione dhe një herë fituese e Kupës - skuadra nga...

TV Dukagjini transmeton ekskluzivisht ndeshjen Peja vs Besëlidhja

Basketbolli rikthehet në TV Dukagjini. Peja vs Besëlidhja, ndeshja parasezonale do të transmetohet direkt në TV Dukagjini të shtunën, nga ora 17:00. Një nga skuadrat më...

Presidentja Osmani dekreton harmonizimin e listës së organizatave terroriste me...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar sot harmonizimin e listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të presidentit amerikan,...

Të fundit nga rubrika