Policia e Kosovës ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Majac të Podujevës, ku tashmë kanë humbur jetën dy persona.
Sipas Policisë, fillimisht është pranuar një informatë për një person pa shenja jete brenda një veture.
Njësitë policore, hetuesit dhe forenzika kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me prokurorin dhe ekipet mjekësore.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një veturë e bardhë me targa lokale, në pronësi të një burri nga Obiliqi, i cili është konstatuar i vdekur nga ekipi mjekësor.
Hetimet fillestare kanë çuar te dyshimet se një person i gjinisë femërore ndodhej brenda një shtëpie, e armatosur dhe refuzonte komunikimin, duke paraqitur rrezik për veten dhe të tjerët.
Për këtë arsye, janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim.
Pas ndërhyrjes, brenda shtëpisë janë gjetur dy gra të plagosura rëndë me armë zjarri, të cilave u është dhënë ndihma e parë dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Më vonë, rreth orës 03:35 të mëngjesit, njëra nga të plagosurat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa gjendja e tjetrës mbetet e rëndë.
Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.