Policia lëshon urdhër-arrest për të dyshuarin në sulmin vdekjeprurës në Universitetin Brown të SHBA-së

Policia amerikane ka lëshuar urdhër-arrest për personin e dyshuar për sulmin me armë zjarri në Universitetin Brown në SHBA, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, bëjnë të ditur burime të afërta me hetimin për CBS News, partnerin amerikan të BBC-së.

Autoritetet janë në kërkim të të dyshuarit, si dhe të një veture me qira që ai dyshohet se e ka përdorur. Identiteti i tij ende nuk është bërë publik.

Sipas burimeve, policia po heton edhe një lidhje të mundshme mes sulmit në Brown dhe vrasjes së një profesori në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT), e ndodhur dy ditë më vonë. Viktima është profesori i inxhinierisë bërthamore, Nuno F. Gomes Loureiro (47), shtetas portugez, i cili u qëllua disa herë në banesën e tij në Brookline, rreth 80 kilometra larg Providence.

Burimet për CBS News bëjnë të ditur se një veturë me qira me përshkrim të njëjtë është parë në të dy vendet e krimit, megjithëse më herët autoritetet federale kishin deklaruar se nuk kishte lidhje mes dy rasteve.

Kërkimi për të dyshuarin ka hyrë në ditën e gjashtë. Hetuesit po trokasin derë më derë, po mbledhin pamje nga kamerat e sigurisë dhe po u bëjnë thirrje qytetarëve për informacione. Një konferencë për media e planifikuar nga policia e Providence u anulua papritur, ndërsa është paralajmëruar një përditësim gjatë ditës.

Shefi i Policisë së Providence, Oscar Perez, deklaroi se i dyshuari “mund të jetë kudo” dhe se autoritetet ende nuk e dinë identitetin apo vendndodhjen e tij. Ndërkohë, policia ka publikuar një fotografi të një personi që besohet se ka qenë pranë personit kryesor të interesit, duke kërkuar bashkëpunimin e publikut.

FBI-ja ka shpallur një shpërblim prej 50 mijë dollarësh për informacione që çojnë në identifikimin, arrestimin dhe dënimin e autorit.

Sulmi ndodhi në ndërtesën Barus & Holley të Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin Brown, gjatë periudhës së provimeve finale. Viktimat janë identifikuar si Ella Cook, studente e vitit të dytë nga Alabama, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, student i vitit të parë, me prejardhje uzbeko-amerikane.

Shija e redaktorit

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

Të fundit nga rubrika