Abdullah Prapashtica ka rrëfyer në një intervistë për emisionin e Ermal Pandurit mënyrën se si, sipas tij, funksiononte në terren organizata ilegale PKMLSHJ, rolin e tij brenda strukturave të Sigurimit të Shtetit dhe mënyrën se si arriti të ruante aktivitetin ilegal për disa vite pa u zbuluar.
Prapashtica thotë se nëntorin e vitit 1975 e kishte nisur punën në Drejtoratin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, në një njësi që merrej me observim dhe përcjellje sekrete.
Sipas tij, kjo periudhë nuk ishte pengesë për veprimtarinë e tij politike ilegale. Përkundrazi, ai pretendon se kishte hyrë në strukturat e Sigurimit të Shtetit pikërisht për t’i shërbyer çështjes për të cilën vepronte organizata.
“Unë jam infiltruar në Sigurim Shtetëror për me punu për çështjen e organizatës”, ka deklaruar Prapashtica.
Ai mohon kategorikisht mundësinë që të ketë qenë pjesë e ndonjë operacioni të organizuar nga vetë Sigurimi për infiltrimin e një organizate shqiptare.
Si funksiononte organizata në ilegalitet?
Duke folur për mënyrën e funksionimit të organizatës, Prapashtica thotë se konspiracioni ishte elementi kryesor.
Sipas tij, organizata përbëhej nga pak persona dhe njohja mes tyre ishte e kufizuar.
“Ne kemi vepruar në mënyrë shumë konspirative, kemi qenë pak njerëz dhe ata pak njerëz janë njohur aq mirë mes vete saqë nuk ka pasur rrezik me u zbuluar”, ka thënë ai.
Prapashtica pretendon se organizata mbeti e pazbuluar për një periudhë të gjatë dhe se ekspozimi filloi pas demonstratave të vitit 1981.
Sipas tij, pas demonstratave u krijua nevoja për kontakte më të gjera me organizata të tjera shqiptare dhe për veprim më të drejtpërdrejtë në terren. Pikërisht kjo, sipas Prapashticës, rriti edhe rrezikun e zbulimit.
Prapashtica: Nuk kërkonim vetëm Republikën e Kosovës
Në intervistë, Prapashtica ndalet edhe te qëllimet politike të organizatës dhe te interpretimi i demonstratave të vitit 1981.
Ai thotë se është i pasaktë interpretimi se kërkesa kryesore ishte vetëm shndërrimi i Kosovës në republikë.
Sipas tij, synimi ishte bashkimi i viseve shqiptare dhe krijimi i një Republike Nacionale Shqiptare në kuadër të Jugosllavisë.
“Nuk ka qenë punë e bashkimit të të gjitha viseve dhe krijimi i Republikës Nacionale Shqiptare në Jugosllavi”, ka deklaruar Prapashtica.
Kjo deklaratë vjen në kontekstin e debateve historike për kërkesat politike të shqiptarëve të Kosovës dhe demonstratat e vitit 1981, të cilat përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme politike të Kosovës në periudhën e Jugosllavisë socialiste.
Nga ndjekësi te i ndjekuri
Prapashtica ka treguar se gjatë punës në Sigurimin e Shtetit kishte marrë pjesë në përcjelljen dhe observimin e personave që ishin nën hetime.
Ai përmend ndër të tjerë Enver Talin dhe Neriman Brahën.
Megjithatë, pyetja kryesore e intervistës ishte se si mund të bashkëjetonin dy role të tilla: punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe veprimtar ilegal shqiptar.
Për Prapashticën, përgjigjja është e qartë.
“Kjo ka qenë pikërisht e kundërta”, ka thënë ai, duke përsëritur pretendimin se ishte infiltruar në Sigurim për të vepruar në interes të organizatës.
Rasti i vitit 1979
Prapashtica ka rrëfyer edhe një episod të vitit 1979, kur, sipas tij, organizata ishte shumë pranë ekspozimit.
Ai thotë se në atë kohë ishte në Beograd, në një kurs specialistik, kur kishte marrë një mesazh nga Rexhep Maqedonci se “nëna është shumë sëmurë”.
Sipas Prapashticës, kjo ishte një shifër që nënkuptonte se diçka kishte ndodhur dhe se duhej të kthehej menjëherë në Prishtinë.
Pas kthimit, ai thotë se kishte mësuar se një i afërm i Maqedoncit ishte arrestuar në lidhje me grupin e LNKQMSHJ-së dhe gjatë hetimeve kishte përmendur emrin e Rexhep Maqedoncit.
Prapashtica e konsideron këtë rast si momentin kur emrat e tyre iu afruan më së shumti ekspozimit gjatë periudhës së ilegalitetit.
Dy shkrimet që mund ta zbulonin
Një tjetër episod i rrëfyer në intervistë lidhet me dy materiale që, sipas Prapashticës, ishin gjetur në tavolinën e tij në zyrë.
Njëri ishte një shkrim mbi parimet e marksizëm-leninizmit, ndërsa tjetri një poezi me titullin “Para gjyqit, tradhtar”.
Ai thotë se ishte thirrur për të dhënë shpjegime dhe kishte arritur ta justifikonte materialin e parë duke thënë se e kishte marrë nga profesori Hajredin Hoxha.
Sipas tij, çështja ishte mbyllur dhe dyshimet ndaj tij nuk ishin thelluar.
“Nuk kam pasur mundësi të dëmtoj askënd”
I pyetur nëse gjatë kohës që punonte në Sigurimin e Shtetit kishte pasur persona të arrestuar apo dënuar si pasojë e aktivitetit të tij, Prapashtica përgjigjet negativisht.
Ai thotë se kishte qëndruar në këtë strukturë deri në fillim të prillit të vitit 1980.
Më 2 prill, sipas rrëfimit të tij, nuk ishte paraqitur në detyrë dhe ishte suspenduar për tre muaj. Pas përfundimit të suspendimit, ai thotë se kishte ndërprerë përfundimisht marrëdhënien e punës në strukturat e Punëve të Brendshme.