Në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë për nder të 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane, Anu Prattipati, u shpreh me vlerësime të larta për Kosovën dhe marrëdhënien e saj me SHBA-në.
Para të ftuarve të shumtë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, përfaqësues të korit diplomatik dhe biznesmenë amerikanë, diplomatja amerikane theksoi se është nder të shërbejë në një vend si Kosova, të cilin e quajti “vendin më pro-amerikan në botë”.
“Kam pasur rastin të festoj 4 Korrikun në shumë vende të ndryshme, por nuk mund ta paramendoj ndonjë vend më të mirë për ta shënuar këtë ditë sesa këtu, me ju, në vendin më pro-amerikan në botë.
Kjo është hera e parë që e festoj Ditën Pavarësisë së ShBA-së në Kosovë. Kur mbërrita verën e kaluar si Zëvendëse Shefe e Misionit, sigurisht që nuk e prisja se do të shërbeja si e Ngarkuar me Punë për këtë festë – dhe është nder të shërbej në këtë rol.
Çfarë vendi i jashtëzakonshëm për të shërbyer. Ky komunitet është i mrekullueshëm për të qenë pjesë e tij. Jemi mbledhur sonte për të kujtuar momentin e vitit 1776 kur Etërit Themelues nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në Filadelfia të Pensilvanisë.
Ata ia kushtuan jetën, pasurinë dhe nderin e tyre të shenjtë bindjes revolucionare se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se qeveritë marrin legjitimitetin nga pëlqimi i të qeverisurve. Në këtë vit të 249-të, gjithashtu shënojmë që po i afrohemi një përvjetori historik madhështor – 250-vjetorit të Amerikës. Gjatë këtij viti të 250-të, mezi presim që së bashku me ju të festojmë një sërë përvjetorësh të rëndësishëm amerikanë”, ka thënë ajo.
Diplomatja theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj prioriteteve të politikës amerikane, nga lufta kundër krimeve kibernetike e deri te qëndrimet ndaj çështjeve globale të sigurisë.
Në aspektin ekonomik, ajo përmendi rritjen e marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve dhe faktin që disa kompani amerikane hapën degë në Kosovë.
“Pak javë më parë, i nisëm këto festime duke shënuar 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane – degës më të vjetër të forcave tona ushtarake – e cila ishte në vijën e parë të luftës për pavarësi.
Këtë vit, po kjo Ushtri Amerikane u stërvit krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës në „Defender 25”, që është ushtrimi më i madh i ushtrisë amerikane në Evropë – me Kosovën si vend mikpritës. Kjo është më shumë se simbolikë e miqësisë sonë, është më shumë se kaq. Është me të vërtetë domethënëse.
Është dëshmi e forcës së partneritetit tonë në fushën e sigurisë. Së bashku jemi më të sigurt dhe më të fortë. Gjithashtu, jemi më të sigurt dhe më të fortë falë përkushtimit të palëkundur të Kosovës dhe përputhshmërisë me prioritetet e politikës amerikane. Faleminderit për besimin tuaj.
Kemi punuar së bashku që amerikanët dhe kosovarët të jenë të sigurt nga kriminelët kibernetikë, kemi ngritur zërin kundër antisemitizmit dhe, rishtazi, kemi qenë të bashkuar në vendosmërinë tonë për të parandaluar aktorët keqdashës nga blerja e armëve nukleare. Kosova, gjithashtu, ka qenë ndër përkrahëset më të forta të Shteteve të Bashkuara në përpjekjet tona për të mbrojtur kufirin tonë.
Jemi miq dhe partnerë në përpjekjet që jo vendet tona, por edhe rajoni, të jenë më fortë, më të sigurt dhe më të begatë. Në aspektin ekonomik, po shohim rritje të prekshme në marrëdhëniet tona tregtare. Vetëm muajin e kaluar, kemi parë disa biznese të reja amerikane duke hapur dyert pikërisht këtu në Kosovë. Disa prej tyre janë këtu me ne sonte”, ka shtuar Prattipati.
“Këto janë çaste të rëndësishme në thellimin e marrëdhënieve tona ekonomike. Më lejoni që për një çast të ndalem për të reflektuar se çka nënkupton ky partneritet.
Për ne, nuk ka të bëjë vetëm me atë se që ShBA-ja e arrin për vete. Ka të bëjë me faktin që fuqia e Amerikës ndihmon për të fuqizuar edhe partnerët e saj. Sepse një Amerikë më e begatshme do t’i lartësojë edhe të tjerët – prej rritjes së marrëdhënieve ekonomike e deri te bashkëpunimi në siguri që forcon stabilitetin rajonal. Kosova është shembull i qartë i këtij partneriteti që sjell rezultate.
Dhe ne e kuptojmë rrugëtimin e Kosovës. Historia juaj ngjan me tonën.
E kemi kaluar edhe ne këtë rrugë më parë dhe vazhdojmë ta ecim së bashku me ju. Ndaj, ndërsa i afrohemi përvjetorit të 250-të të Amerikës vitin tjetër, le të nderojmë arritjet që po i realizojmë së bashku që tani.
Përvojat tona të përbashkëta, puna jonë e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët më bëjnë krenare që shërbej këtu”, ka shtuar diplomatja amerikane.