Presidenca e Republikës së Kosovës ka pranuar letrën zyrtare nga Kuvendi, pas dështimit të mbajtjes së seancës konstituive të legjislaturës së nëntë. Këtë e ka bërë të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes Vjosa Osmani, përmes një njoftimi të shkurtër.
Sipas Kupinës, letra tashmë ka arritur në Presidencë dhe është duke u analizuar nga ekipi ligjor i institucionit.
“Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, ka thënë Kupina, teksa ka shtuar se letra iu është dërguar nga kryesuesi i seancës së martës, Avni Dehari.
Seanca konstituive e Kuvendit u ndërpre të martën nga kryesuesi Avni Dehari, pas dështimit të votimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
“Do ta informojmë presidenten me një letër dhe për të parë se si do të veprohet në të ardhme”, ka deklaruar Dehari.
Nga 109 deputetë të pranishëm, 52 votuan për, 46 kundër dhe 11 abstenuan, çka nuk ishte e mjaftueshme për miratimin e raportit.
PDK, LDK dhe AAK – votuan kundër, ndërsa deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës përkrahën raportin. Si pasojë, Dehari njoftoi se seanca do të ndërpritej dhe se Presidenca do të informohej për situatën e krijuar.