Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se bota ka hyrë në “një epokë të re të armëve bërthamore”, pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për rifillimin e testimeve bërthamore për herë të parë që nga viti 1992.
Gjatë një fjalimi të mbajtur më 3 nëntor në Helsinki, Stubb theksoi se “logjika e frenimit” dhe “stabiliteti strategjik midis superfuqive” po kalojnë një fazë të re transformimi, duke paralajmëruar për rritjen e rrezikut bërthamor në skenën globale.
“Ne kemi hyrë në një epokë të re të armëve bërthamore, ku, fatkeqësisht, rëndësia e tyre është në rritje”, tha Stubb.
Deklarata e tij erdhi pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump, i cili javën e kaluar konfirmoi se SHBA-ja planifikon të rifillojë testimet bërthamore, duke shënuar kthimin e vendit në një politikë të braktisur prej më shumë se tri dekadash.
Lëvizja e Uashingtonit ka ngjallur shqetësime ndërkombëtare, pasi shihet si një hap që mund të nxisë një garë të re armatimi midis fuqive bërthamore dhe të minojë përpjekjet shumëvjeçare për kontrollin e armëve dhe sigurinë globale.