Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, në një letër drejtuar “popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar se Irani “kurrë nuk ka iniciuar një luftë”, pavarësisht asaj që ai e quan “pushtim dhe agresion të vazhdueshëm”.
Letra është publikuar disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump tha se “regjimi i ri i Iranit” kishte kërkuar armëpushim, pa saktësuar se për kë bëhej fjalë.
Trump më herët deklaroi se SHBA do të shqyrtonte një armëpushim vetëm kur Ngushtica e Hormuzit të ishte “e hapur dhe e lirë”, duke shtuar kërcënime ndaj Iranit se vendi mund të goditet “deri në asgjësim” nëse nuk arrihet marrëveshje.
Në letrën e tij, Pezeshkian nuk përmend mundësinë e një armëpushimi. Ai thotë se populli iranian nuk ka armiqësi ndaj popullit amerikan, evropian apo vendeve fqinje, duke shtuar se zgjedhja mes “konfrontimit dhe dialogut” do të përcaktojë të ardhmen për brezat e ardhshëm.