Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka qenë më pro-Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, duke theksuar se nga Kosova nuk është kërkuar asnjë koncesion.
Gjatë një interviste në Syri TV, Osmani tha se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndihmuar në hapjen e mundësive të reja për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ajo theksoi se së bashku me aleatët janë hapur dyer që më parë nuk kanë qenë të hapura, duke përmendur pjesëmarrjen në Samitin e NATO-s në Washington dhe në Bordin e Paqes, si hapa që kanë fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas Osmanit, Kosova nuk ka bërë asnjë koncesion në raport me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.
“Nuk kam bërë asnjë koncesion për Kosovën as me BE e as me SHBA”, u shpreh ajo.
Presidentja bëri të ditur se me zyrtarë amerikanë është diskutuar edhe për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Kemi folur me Rubion se si ta anëtarësojmë Kosovën në NATO me zero cent lobim, pa asnjë koncesion, sepse nuk na është kërkuar”, tha Osmani.
Ajo gjithashtu përmendi se programi i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është rinegociuar dhe vazhdimi i projektit mbi 200 milionë dollarë është siguruar pas diskutimeve që ka zhvilluar në Washington.
Osmani theksoi se afërsia me SHBA-të duhet të shihet si garanci sigurie për Kosovën dhe jo si pengesë.
“Nuk do të duhej që afërsia me SHBA-të të shihej si pengesë, por si garanci sigurie”, tha ajo.
Presidentja shtoi se edhe gjatë presidencës së Donald Trump, Kosova ka marrë mbështetje të rëndësishme nga SHBA-të.
“Presidenti Trump nuk na la vetëm; na fuqizoi duke na ftuar në Bordin e Paqes”, deklaroi Osmani.