Liderët evropianë kanë ngritur shqetësime lidhur me një plan të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke theksuar se propozimet aktuale janë “një bazë që kërkon punë shtesë”.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar gjatë samitit të G20-s në Afrikën e Jugut, ata theksuan se plani “përfshin elemente të rëndësishme, të domosdoshme për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, por paralajmëruan se mbeten të shqetësuar për çështjet që lidhen me kufijtë dhe kufizimet e parashikuara për forcat e armatosura të Ukrainës.
Ky reagim vjen një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se Kievi po përballet me “një nga momentet më të vështira në historinë tonë”, për shkak të presionit për ta pranuar planin – detaje të të cilit janë publikuar dhe janë parë si të favorshme për Moskën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka dhënë Ukrainës afat deri më 27 nëntor për të pranuar planin me 28 pika, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ai mund të shërbejë si “bazë” për një marrëveshje, raporton BBC.

Deklarata e përbashkët është nënshkruar nga liderët e Kanadasë, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Japonisë, Holandës, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë dhe Norvegjisë, si dhe dy zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
Në deklaratë thuhet, “Jemi të gatshëm të angazhohemi për të siguruar që një paqe e ardhshme të jetë e qëndrueshme. Qëndrojmë të palëkundur në parimin se kufijtë nuk mund të ndryshohen me forcë. Jemi gjithashtu të shqetësuar për kufizimet e propozuara ndaj forcave të armatosura të Ukrainës, të cilat do ta linin vendin të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme.”
Më tej theksohet se “Zbatimi i elementeve që lidhen me Bashkimin Evropian dhe NATO-n do të kërkojë pëlqimin e shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s”.
Të premten, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Volodymyr Zelensky ka afat deri të enjten për ta pranuar planin e tij prej 28 pikash.
Plani parashikon që Ukraina të dorëzojë territor, të pranojë kufizime në kapacitetet e saj ushtarake dhe të heqë dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO.
Trump u shpreh se vendimi i Ukrainës është i pashmangshëm.
“Atij do t’i duhet t’i pëlqejë, dhe nëse nuk i pëlqen, atëherë, e dini, ndoshta duhet të vazhdojnë të luftojnë. Në një moment ai do të duhet të pranojë diçka që nuk e ka pranuar më parë.”
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar planin si një bazë të mundshme për zgjidhjen e konfliktit, megjithëse Moska mund të kundërshtojë disa prej propozimeve.
Plani parashikon tërheqjen e forcave ruse nga disa zona të pushtuara, çka mbetet një pikë e ndjeshme për Kremlinin.