Kontejnerët janë plot e mbeturinat kanë arritur deri në pjesët e trotuareve.
Kjo është gjendja në lagjen “Kalabria” të Prishtinës pas katër javëve që operatorët ekonomikë nuk kanë larguar mbeturinat.
Për rrjedhojë, pika të kësaj lagjeje janë shndërruar në deponi duke përfshirë edhe sasi të mbeturinave inerte.
Të shqetësuar shprehen banorët të cilët thonë se kontejnerët e stërmbushur po tërheqin edhe qentë endacakë.
“Një muaj nuk e marrin. Qysh s’është zor. Për çdo ditë ka po enesh bërrllog, bërrlog gjithkund. Qentë po rrin gjithë ditën e lume këtu, po kalojnë njerëzit e fëmijët këtu. Le të largohet, është dëshira e tanve”, ka thënë Beqir Igrishta, banor i “Emshirit”.
Në situatë më të rëndë gjendet edhe pjesa te lagjja e njohur si te “Xhamia e Llapit” në rrugën “Bedri Gjini”.
“Qe katër javë nuk janë ardh dhe këtë po e bëjnë për çështje partiake. Populli po hek keq se kjo është sëmundje edhe rrezik prej qenëve. Qetash është dimër apet ma lehtë se nuk lëshojnë aroma se ky është bërrlog a verës këtu po bëhet kaos. Ka ndodh kantat me muaj janë kanë nëpër rrugë”, ka thënë një banor i kësaj zone.
Kompania Rajonale për Largimin e Mbeturinave “Pastrimi”, përgjegjësinë e hedh tek operatorët privat, që thotë se nuk po kryejnë punën e kjo kompani po vazhdon shërbimin në terren me angazhim maksimal.
“KRM Pastrimi është në terren çdo ditë dhe po vazhdon angazhimin maksimal për ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në të gjitha zonat e Kryeqytetit, në rrethana të ngarkuara operative dhe me sfida të trashëguara në disa pjesë të qytetit. Për një periudhë të caktuar, në kuadër të mbështetjes së shërbimit, janë angazhuar edhe operatorë privatë. Megjithatë, në disa zona është vërejtur mungesë e vazhdimësisë së shërbimit nga ana e tyre, duke rezultuar në hapësira që nuk janë pastruar për periudha të gjata kohore. Në këto raste, KRM “Pastrimi” ka ndërhyrë menjëherë, shpeshherë duke u rikthyer dy apo tri herë në të njëjtat zona, me qëllim që të parandalohet grumbullimi i mbeturinave dhe të ruhet shëndeti publik”.
Por, në komunë tregojnë se kontratat operatorët privatë kanë qenë të përkohshme dhe ato kanë skaduar, ndërkaq zgjidhje premtojnë tek javën që vjen.
““Pastrimi” na u ka drejtu me letër përkërkesë për përkrahje dhe po punojmë. “Pastrimi” ka kërkuar t’iu ndihmojmë me oepratorë privat, me angazhu e me i mbulu disa zona për shkak të mungesës në mekanizma dhe ne kemi dërgu mekanizma të ndërmarrjeve tjera lokale, NPB dhe Artikuktures që jamë në shfrytëzim momentalisht. Fillojmë nga java tjetër ta përmisojmë. Jemi të gjithë përgjegjës. Edhe Pastrimi edhe unë si drejtor për përmisimet dhe hapat që marrim. Është ditë kur përfundojnë kontratat me operatorët privat dhe ne është dasht me qenë në gjendje gatishmërie. Qëllon që një javë përpara “Pastrimi” ka probleme, degradon numri i kamionëve. Kemi fillu, besoj që deri në fund të javës tjetër veç i kryejmë procedurat dhe vazhdojmë me angazhimin e tyre (operatorëve privat)dhe sanimin e gjendjes”, ka thënë u.d. i shërbimeve publike, Luftar Braha.
Mes të tjerash, Braha ka deklaruar se deri në angazhimin e operatorëve privat, janë angazhuar disa ndërmarrje lokale.