Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, OVL e UÇK-së sot proteston në Strasburg

Organizata e Veteranëve të Luftës këtë të diel do të mbajë protestën e radhës në Strasburg kundër procesit që po zhvillohet në Hagë nga Gjykata Speciale ndaj ish-luftëtarëve të lirisë dhe ish-drejtueseve të Republikës së Kosovës.

Protesta pritet të nis nga ora 13:00, njofton Dukagjini.

Kjo protestë vjen vetëm një ditë para një ngjarjeje kyçe në procesin gjyqësor: nisjes së dëshmisë së komandantit të lartë amerikan Wesley Clark, i cili konsiderohet një nga dëshmitarët më të rëndësishëm të mbrojtjes. Si dëshmitari i fundit, Clark pritet të përmbyllë kapitullin e dëshmive, duke i hapur rrugë fazës së konkluzioneve përfundimtare – një etapë që pritet të shtojë edhe më shumë tensionin politik e publik.

Këshilli Koordinues i Shoqatave të Dala nga Lufta ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm në protestën e së dielës në Strasburg – pikërisht në qytetin ku vite më parë u miratua raporti i Dick Martyt, i cili shërbeu si bazë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Në deklaratën e tyre, veteranët e cilësuan UÇK-në “vlerë kombëtare dhe morale” dhe kërkuan shfuqizimin e rezolutës që çoi në krijimin e strukturës gjyqësore që, sipas tyre, po përdoret për gjykim selektiv.

“THIRRJE PUBLIKE PËR PROTESTË për të protestuar në Strasburg, më 16 nëntor 2025, kundër procesit të padrejtë që po zhvillohet në Hagë nga Gjykata Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë dhe ish drejtuesve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Këshillit.

Ata e quajtën veprimtarinë e Gjykatës Speciale të karakterit të njëanshëm, që ndëshkon shqiptarët në vend të ndëshkimit të Serbisë për krimet dhe gjenocidin.

Kujtojmë se protesta në Strasburg është e katërta me radhë pasi protesta të tilla u mbajtën në Prishtinë, Hagë dhe Tiranë, ku figura të njohura politike dhe shoqërore kanë kërkuar drejtësi të paanshme dhe kundërshtuar atë që e quajnë “dënim të historisë së luftës”.

Të fundit nga rubrika