Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, ka reaguar ndaj retorikës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e kujtuar opinionin se të njëjtën gjuhë ai e ka përdorur edhe në të kaluarën kundër shqiptarëve në Kosovë.
“Është koha ta kuptoni se, njësoj siç dikur për Vuçiqin dhe radikalët shqiptarët ishin ‘terroristë’ në qytetet e tyre, në fakultetet, shkollat, fshatrat dhe oborret e tyre, sot ju jeni ‘terroristët’ kundër të cilëve ai përgatit lojalistet e tij që do t’ju lëshojë SAJ-in”, ka shkruar Videnoviq ne X
Ky reagim i profesorit vjen në kohën kur Serbia po përjeton protesta të gjera qytetare kundër regjimit të Vuçiqit. Prej muajsh, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë duke kërkuar zgjedhje të lira, fundin e dhunës policore dhe dorëheqjen e figurave të afërta me pushtetin. Organizatat opozitare dhe shoqëria civile e kanë akuzuar presidentin serb për autoritarizëm dhe kontroll të plotë mbi institucionet, përfshirë mediat dhe sistemin gjyqësor.
Sipas Videnoviqit, përdorimi i të njëjtës gjuhë kundër qytetarëve serbë që sot kundërshtojnë regjimin është dëshmi se Vuçiq e trajton çdo zë kritik si armik.