Në mbledhjen e mbajtur sot, më 20.05.2024, Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) ka akredituar disa programe studimi të universiteteve publike në Kosovë e disa nuk i ka akredituar.
Lista e programeve të studimit të universiteteve që anëtarët e KSHC-së vendosën që të akreditohen nuk është finale. Kjo listë pritet të publikohet pas disa ditësh.
Listën e programeve të studimit të universiteteve publike që u akredituan në mbledhjen e sotme e gjeni më poshtë, raporton Kallxo.com.
Kjo listë përfshin periudhën brenda së cilës është i akredituar programi i studimit dhe numrin e studentëve të lejuar.
Këto universitete (Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren) kanë edhe programe të tjera të studimit, të cilat nuk ndodhen në listën e programeve që ka akredituar KSHC.
Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë
Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka akredituar tri programe të studimit të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.
Programi “E drejta civile dhe e biznesit” u akreditua për 3 vjet për 25 studentë. Ky program nuk figuron të jetë në faqen zyrtare të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Programi “Menaxhim mjedisi” (Master) u akreditua për 5 vjet për 20 studentë.
Programi “Menaxhim i Burimeve Njerëzore” (Master) u akreditua për 5 vjet për 80 studentë.
Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj
Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka akredituar dy programe të studimit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Programi “Inxhinieria industriale” u akreditua për 3 vjet për 100 studentë. Ky program ekziston në faqe të Universitetit si “Inxhinieria industriale me informatikë”.
Programi “Menaxhim i turizmit dhe hotelerisë” (Bachelor) u akreditua për 5 vjet për 80 studentë.
Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin “Hasan Prishtina” në Prishtinë
Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka akredituar shtatë programe të studimit të Universitetit të Prishtinës.
Programi “Shkenca kompjuterike” (Bachelor) në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore u akreditua për 3 vjet për 60 studentë.
Programi “Inxhinieria softuerike-kompjuterike” (Bachelor) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) u akreditua për 3 vjet për 250 studentë.
Programi “Inxhinieria softuerike-kompjuterike” (Master) në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike u akreditua për 3 vjet për 50 studentë.
Programi “Master në shkenca edukative (me 4 specializime)” në Fakultetin e Edukimit të UP-së u akreditua për 3 vjet për 160 studentë, pra nga 40 studentë për çdo specializim.
Programi “Master i inovacionit dhe cilësisë në arsim” në Fakultetin e Edukimit në UP u akreditua për 3 vjet për 25 studentë. Ky program nuk ndodhet në faqen zyrtare të Fakultetit të Edukimit të UP-së.
Dhe programi “Ekologji dhe mbrojtje e mjedisit” (Bachelor) në FSHMN u akreditua për 3 vjet për 50 studentë. Ky program i FSHMN-së për nivelin Master u akreditua për 3 vjet për 30 studentë.
Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren
Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka akredituar tri programe të studimit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.
Programi “Shkenca kompjuterike dhe teknologji komunikimi” u akreditua për 3 vjet për 45 studentë.
Programi “Dizajn softueri” (Bachelor) u akreditua për 3 vjet për 180 studentë.
Programi “Shkencat e pyjeve dhe mjedisit” u akreditua për 3 vjet për 50 studentë.
Akreditimi i programeve të studimit në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë
Në Universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës, KSHC ka akredituar një program.
Programi “Drejtësi” (Bachelor) u akreditua për 3 vjet dhe 80 studentë. Ky program nuk figuron në Fakultetin Juridik të Universitetit “Isa Boletini”.