Prokuroria e Prizrenit me aksion, arrestohet edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku

Me urdhër të Prokurorisë së Prizrenit, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka nisur një operacion i gjerë policor që përfshin të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas raportimeve, nga ky operacion pritet që rreth 40 persona të trajtohen si të dyshuar, ka njoftuar televizioni Dukagjini.

Objekt i bastisjeve janë pronat e ish-zyrtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), ku aksioni policor ka filluar që në orët e para të mëngjesit.

Deri më tani, është arrestuar ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku, ndërsa Policia e Kosovës është në kërkim të ish-shefit të financave të kësaj ndërmarrjeje, Valon Berisha.

Sipas Kallxo.com, dyshimet që kanë çuar në këtë operacion lidhen me manipulime të mundshme në procesin e kompensimit të dëmeve.

Sipas një raporti të bërë publik, ekzistojnë dyshimet se në mënyrë të kundërligjshme Byroja, me përfshirjen e personave Sami Mazreku dhe Venhar Hana, kanë kompensuar palët M.L dhe N.M. Palët e përfshira në aksident, kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë- dega në Istog ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimit, pas një aksidenti që kishte ndodhur në vitin 2011.

Sipas raportit, gjykata ua kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për kompensim të dëmit material dhe jomaterial. Byroja kishte bërë ankesë. Rasti kishte shkuar në Gjykatën e Apelit, e cila e kishte refuzuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Byrosë dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë– dega në Istog për kompensim dëmi.

Më datën 05.03.2019 pala paditëse ka ushtruar revizion në Gjykatën Supreme, duke atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit. Me datën e njëjtë kur është dërguar lënda në Gjykatën Supreme, Byroja ka bërë pagesën e kompensimit në vlerë prej 65 mijë e 240 eurove, e cila ishte vendosur në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës më 14.01.2019.

Byroja më 15.03.2019 përgatit përgjigje në revizionin e ushtruar nga paditësit kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me datën 08.04.2019 Gjykata Supreme e Kosovës, nxjerrë aktgjykim ku refuzohet si i pabazuar revizioni i paditësve i paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Aktgjykimi i Supremes e kishte bërë të plotfuqishëm vendimin Gjykatës së Apelit.

Ndërkohë, burime të Gazetës Insajderi bëjnë të ditur se hetimet e Prokurorisë së Prizrenit kanë nisur pas raportimeve për zhdukjen e një shume prej mbi një milion eurosh nga xhirollogaritë e BKS-së, gjatë periudhës kur Mazreku ishte në krye të institucionit. Sipas këtyre burimeve, Prokuroria ka gjetur tashmë elemente të mjaftueshme për ta zgjeruar hetimin edhe më tej.

Në këtë operacion janë angazhuar mbi 300 zyrtarë policorë nga njësitë për hetimin e krimeve ekonomike dhe financiare. Aksioni po zhvillohet në rajonet e Prizrenit, Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Drenasit, Pejës dhe Obiliqit.

Kujtojmë se më 19 shtator, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar një Urdhër Ndalues Përfundimtar, përmes të cilit u bllokuan dhjetëra parcela në lagjen Veternik të Prishtinës.

Në mesin e pronarëve të përfshirë ishte edhe Sami Mazreku, ish-drejtor i BKS-së, të cilit i është bllokuar një pronë prej rreth 1,600 metrash katrorë. Në këtë rast, një pronë i është bllokuar edhe Venhar Hanës, ish-avokat i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Emrat e këtyre dyve, Mazrekut e Hanës, por jo vetëm të tyre, janë në një dokument që ka përpiluar Gjykata në Prishtinë, e një kopje të të cilit e ka Gazeta Insajderi.

Bëhet fjalë për një pronë të vlefshme me miliona, që është nën hetim kohë të gjatë, por u desht shumë përpjekje që më në fund Gjyqi të e vendos nën masë bllokimi. Aty tashmë ka banesa, disa të blera nga qytetarë që mund edhe të mos e kenë ditur fare që e njëjta mund të jetë me telashe.

Kështu, sipas aktvendimit të siguruar nga Insajderi, parcela kadastrale 1743-5, e regjistruar në emër të Mazrekut, është përfshirë në listën e pronave që gjykata ka urdhëruar të ndalohen nga shitja, bartja apo çfarëdo transaksioni tjetër. Një pjesë prej 500 m² të kësaj parcele Mazreku e kishte shitur më herët tek Venhar Hana, ndërsa 1100 m² mbeten drejtpërdrejt në emër të tij, tashmë të bllokuara nga Gjykata.

Sipas Insajderit, në këtë çështje përmendet edhe emri i Dren Pacës, Prokuror Special, për të cilin dyshohet se ka lidhje me individë të përfshirë në afera milionëshe që aktualisht janë nën hetim, i cili shihet në fotografinë e mësipërme.

Po ashtu kujtojmë se para se të emërohej prokuror, Dren Paca, kishte qenë i punësuar në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) në vitin 2012.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika