Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj personit të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Rasti lidhet me ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në fshatin Bokshiq të komunës së Klinës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.
Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria për Dukagjinin, ndërsa seanca e procedurës paraprake pritet të mbahet gjatë ditës së sotme.
Sipas një komunikate të përbashkët nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, rasti është raportuar rreth orës 15:08, pas të shtënave me armë zjarri.
Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një person ishte i plagosur. Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku kujdestar, ndërsa i dyshuari për rastin është arrestuar nga Policia e Kosovës.