Gurakuç Kuçi, hulumtues i lartë në Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, ka ngritur alarmin se strategjia e komunikimit strategjik (Stratcom) e Serbisë kundër Kosovës nuk operon më vetëm në kanalet tradicionale të propagandës, por është zhvendosur thellë në subkulturat digjitale globale.
Sipas Kuçit, rrjeti propagandistik serb ka depërtuar në forume anonime, platforma alternative dhe komunitete online si 4chan, Discord, Telegram, si dhe në hapësirat e lojërave online, duke targetuar veçanërisht të rinjtë dhe grupet e politizuara në mënyrë indirekte. Këto mjedise shërbejnë si inkubatorë ku narrativat anti-Kosovë “paketohen” brenda diskurseve anti-globaliste, anti-feministe dhe ekstremiste të djathta.
Memet, simbolet dhe miti i dhunës
Një nga instrumentet kyçe të kësaj strategjie janë memet ekstremiste. Memja famëkeqe naziste anti-islame “Remove Kebab”, e njohur edhe si “Serbia Strong”, ka rigjetur jetë në 4chan dhe 8chan, duke u shndërruar në ikonë raciste që riciklon nacionalizmin serb brenda kulturës së ekstremit të djathtë global.
Po ashtu, në forume si /pol/ dhe në kanale Telegram, përdoruesit lavdërojnë figura të krimeve të luftës si Ratko Mladiç apo formacione paramilitare si “Tigrat e Arkanit”. Imazhet nga lufta e Kosovës shpërndahen me mbishkrime fetare dhe raciste, duke normalizuar dhunën përmes një “zhargoni transgresiv” tipik për këto komunitete.
Nga “çështje rajonale” në luftë identitare globale
Kuçi tutje në Facebook thekson se propaganda serbe shfrytëzon edhe teorinë e “Clash of Civilizations”, duke e paraqitur Kosovën si vijë ndarëse mes krishterimit dhe islamit. Ky interpretim, i përhapur në qarqe ekstremiste perëndimore, e kthen konfliktin në Kosovë nga një problem politik e juridik në një narrativë të rreme të “luftës së qytetërimeve”.
Në këtë kontekst, vëmendje e veçantë i kushtohet rrjeteve neo-naziste transnacionale. Supremacisti i bardhë amerikan Robert Rundo, themelues i grupit “Rise Above Movement”, ka krijuar lidhje të drejtpërdrejta me ekstremistë serbë, ka qëndruar në Serbi dhe ka udhëhequr kanale Telegram me dhjetëra mijëra ndjekës. Kjo, sipas Kuçit, dëshmon ekzistencën e një “tubacioni subkulturor” që eksporton narrativën nacionaliste serbe në skenat ekstremiste globale.

Targetimi i të rinjve përmes lojërave
Një dimension veçanërisht shqetësues është depërtimi në platformat e lojërave online. Aktivistë nacionalistë serbë përdorin emra provokues si “KosovoIsSerbia88”, shpërndajnë këngë patriotike dhe mesazhe ideologjike në biseda zanore dhe serverë Discord, duke ekspozuar të rinjtë ndaj propagandës pa vetëdije politike.
Paralelisht, në platforma margjinale si 8kun dhe Matrix, tema e Kosovës është futur në teori konspirative – nga narrativat anti-vaksinë deri te pretendime për “projekte të elitave globale”. Kjo e vendos propagandën serbe brenda një ekosistemi më të gjerë anti-sistem, ku faktet zëvendësohen me mite dhe armiq imagjinarë.
Qëllimi: radikalizimi i audiencës
Sipas hulumtuesit të Octopus, ky ekosistem propagandistik synon radikalizimin gradual të audiencave që nuk kanë interes fillestar për politikën – në gjuhën shkencore të quajtura “parukelë”. Përmes subkulturave online, Serbia synon të zhvendosë kornizën mendore nga “çështje rajonale e Kosovës” në “luftë identitare globale”, duke krijuar terren për urrejtje, dhunë simbolike dhe delegjitimim ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.
Ky zhvillim, sipas Kuçit, paraqet një sfidë serioze për sigurinë digjitale dhe kërkon reagim të koordinuar institucional për të identifikuar, ekspozuar dhe kundërshtuar propagandën hibride në hapësirat online.