Gjatë një konference për media, kreu i Prishtinës, Përparim Rama u pyet nga gazetarët nëse do të jetë pjesë e protestës që mbahet në Ditën e Pavarësisë.
Ai tha se do të marrë pjesë dhe theksoi se kjo çështje tejkalon përkatësitë partiake po ashtu u bëri të ditur se si institucion i Kryeqytetit do të ofrojnë mbështetje edhe përmes organizimit të transportit urban falas për qytetarët në ditën e protestës.
“Po, patjetër që po. Unë e kam thënë që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i kam përkrahur gjithmonë dhe prapë do t’i përkrah, edhe si kryetar i kryeqytetit, edhe si institucion i administratës së kryeqytetit. Pra ne, përveç, kemi ndihmuar proceset edhe më parë, i çmojmë, i vlerësojmë dhe duhet me i lartësuar përtej partive politike, sepse kjo është çështje kombëtare. Po ashtu, edhe këtë herë do të jem aty, edhe do të kemi edhe trafikun urban në shërbim të gjithë qytetarëve pa pagesë, po në atë ditë. Pra, për me e ndihmuar këtë protestë”, tha Rama.
I pyetur se kur do të emërohen drejtorët e drejtorive të komunës apo se a po presin për zyrtarizimin e koalicionit, Rama tha se qeverisja është funksionale dhe se bashkëpunimi me partitë do të bëhet së shpejti.
“Po ju e dini që ne, ne e kemi qeverisjen e kemi funksionale. Domethënë i kemi nënkryetarët, drejtorët, jemi duke punuar në kryeqytet pa asnjë problem. Unë kam kërkuar publikisht nga të gjitha partitë politike që të bashkohen, pra të bëjmë një koalicion të gjerë, që t’i shtyjmë proceset përpara për kryeqytet, ashtu siç edhe e meritojnë qytetarët e kryeqytetit. Dhe kjo me siguri që do të bëhet shumë shpejt. Por, po them që kryeqyteti punon në mënyrën më të mirë të mundshme, i ka të gjithë drejtorët edhe nënkryetarët tash në vend, edhe jemi duke vazhduar me punë si çdo herë”, shtoi kryetari./EO