Qytetarë të shumtë kanë qëndruar në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, edhe në orët e vona të së mërkurës.
Në shesh janë mbledhur shumë qytetarë, ndërsa ndërtesa e Qeverisë po ruhet nga një kordon i Policisë së Kosovës, i përforcuar me barriera metalike.
Në mesin e protestuesve janë parë edhe disa deputetë të partive opozitare, përfshirë deputetë të PDK-së dhe Aleancës.
Ndërkohë, Çlirim Haziri, djali i dëshmorit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje protestuesve që kundërshtimin ndaj aktgjykimit të sotëm në Hagë ta shprehin me vendosmëri, por në mënyrë paqësore dhe me dinjitet.
“Do të qëndrojmë këtu, do të protestojmë dhe nuk do të heshtim. Por nuk do ta sulmojmë Policinë e Kosovës dhe nuk do t’i sulmojmë institucionet tona”, ka thënë Haziri.
Ai ka kërkuar nga protestuesit që të mos mbajnë maska dhe të mos e fshehin identitetin e tyre gjatë protestës.
“Hiqini maskat. UÇK-ja ka qenë pa maska. Edhe ne jemi pa maska. Ne nuk fshihemi. Ne protestojmë hapur dhe me dinjitet”, ka deklaruar ai.
Haziri ka thënë se protestat do të vazhdojnë, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të heshtin përballë një vendimi të padrejtë, por kundërshtimi, sipas tij, nuk duhet të drejtohet ndaj institucioneve të Kosovës.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të shprehin publikisht qëndrimet e tyre për luftën e UÇK-së, pa cenuar rendin dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
