Demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA kanë publikuar fotografi dhe video që nuk ishin parë më parë nga ishulli famëkeq i Jeffrey Epstein.
Materialet tregojnë disa dhoma gjumi në shtëpinë e tij në Ishujt Virgin të SHBA-së, një dhomë me maska të varura në mur dhe një telefon ku në butonat e shpejtësisë janë shkruar emra.
Lideri demokrat i komitetit, Robert Garcia, tha se këto imazhe japin një “pamje shqetësuese” të botës së Epstein dhe po publikohen për “sigurimin e transparencës për publikun”.
Më 19 nëntor, Presidenti Donald Trump nënshkroi një ligj që urdhëron publikimin e dokumenteve qeveritare mbi Epsteinin e ndjerë, një hap i rëndësishëm pas muajsh përpjekjesh për të bërë publike këto dokumente.
Disa nga të mbijetuarit kanë pretenduar se janë trafikuar dhe keqtrajtuar në këtë ishull, i njohur si Little St James, të cilin Epstein e bleu në vitin 1998.

Fotografitë e reja, të marra në vitin 2020, tregojnë gjithashtu një karrige dentare dhe një dhomë me një tabelë të zezë ku janë shkruar fjalë si “e vërteta”, “gënjeshtër” dhe “pushtet”, disa prej të cilave janë redaktuar.
Demokratët e komitetit thanë se këto imazhe dhe video janë siguruar pas një kërkese më 18 nëntor drejtuar prokurorit të Ishujve Virgin për informacion mbi hetimet ndaj Epstein dhe bashkëpunëtores së tij të burgosur, Ghislaine Maxwell.
“Janë imazhe shqetësuese që na japin një pamje të botës së Jeffrey Epstein,” tha Garcia. “Po i publikojmë për të siguruar transparencë dhe për të ndihmuar në kuptimin e plotë të krimeve të tmerrshme të Epstein. Nuk do të ndalemi derisa të zbulojmë tërë të vërtetën.”
Sipas Garcias, komiteti ka marrë gjithashtu dokumente nga JP Morgan dhe Deutsche Bank, të cilat pritet t’i publikojnë së shpejti.
Ishulli Little St James ishte një nga dy ishujt e Epstein në Ishujt Virgin. Në vitin 2022, prokurori i këtij territori arriti një marrëveshje mbi 105 milionë dollarë pasi autoritetet lokale pretenduan se “dhjetëra gra dhe fëmijë” ishin trafikur, përdhunuar dhe sulmuar në ishuj.
Megjithëse imazhet nuk hedhin shumë dritë të re mbi rastin, ato japin një pasqyrë të ambientit ku ndodhën krimet dhe luksit në të cilin jetonte Epstein.
Materiali përfshin gjithashtu një video me një tur të pronës: pishina e rrethuar me palma, një statujë të një shigjetari dhe një rrugicë që çon në oqean.
Ligji i nënshkruar nga Trumpi i jep Departamentit të Drejtësisë një afat 30-ditor – deri më 19 dhjetor – për t’i bërë dokumentet të disponueshme në një format të kërkueshëm dhe të shkarkueshëm. Megjithatë, publikimi mund të vonohet nëse dokumentet mund të rrezikojnë hetime apo gjykime aktive, ose për mbrojtjen e privatësisë së viktimave.