Frikë, ndjenjë përjashtimi, tallje dhe kërcënime me fjalë vulgare… Këto janë bërë pjesë e përditshmërisë së një grupi punëtorësh nga Nepali, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë në Kragujevc.
Rreth dhjetë prej tyre jetojnë në një shtëpi shumëkatëshe në njërën nga lagjet e këtij qyteti në Serbinë qendrore.
Ata mbërritën atje në mesin e nëntorit për të punuar, si shumë të tjerë nga vendet aziatike dhe afrikane, dhe kryesisht angazhohen në ndërmarrje komunale, fabrika dhe kantiere ndërtimi të kompanive private.
Por, shumë shpejt, u përballën me protesta të një pjese të banorëve lokalë para shtëpisë ku banojnë, me thirrje fyese si: “Kthehuni në Nepal”.
“Nuk ndihemi të sigurt, por besojmë se gjithçka do të shkojë mirë”, thotë Binay Kumar Jha për Radion Evropa e Lirë, teksa qëndron pranë bashkëkombësve të tij.
Ata pranuan të tregojnë anën e tyre të historisë për Radion Evropa e Lirë, megjithëse në fillim ishin të rezervuar.
Kumar Jha shpjegon se frikësohen për sigurinë e tyre dhe se gjatë protestave përpara shtëpisë nuk guxonin të dilnin jashtë.
Në bisedë, me një buzëqeshje, i bashkohet edhe Saroj Khadka, duke thënë se nuk duan t’i dëmtojnë njerëzit dhe nuk duan t’i lëndojnë ata.
Ai thotë se janë shumë të frikësuar, pasi në protestën përpara shtëpisë së tyre në fillim të dhjetorit, kishte shumë njerëz, që herë pas here shikonin nga dritarja.
“Ne vetëm duam të jemi të sigurt dhe të mund të punojmë. Kaq. Nuk presim asgjë nga të tjerët, vetëm të jemi të sigurt. Askush në botë nuk duhet të ndihet kështu. Të gjithë duhet të jemi të barabartë”, thotë Khadka.
Ai shton se para se të arrinte në Serbi, kishte kërkuar informacione për Kragujevcin në internet dhe kishte lexuar se ishte një nga qytetet më të sigurta.
“Besova se po vij në një qytet të sigurt”, thotë Khadka.
“Nuk i kemi bërë dëm askujt”
Mithlesh Mishra, gjithashtu nga Nepali, thotë se njerëzit u drejtohen me gjeste të turpshme dhe se nuk e kupton përse disa individë janë kundër tyre, kur ata nuk i kanë bërë dëm askujt.
“Ne jemi këtu për të punuar, ligjërisht. Në shtëpi, në Nepal, kemi familjet dhe fëmijët tanë. Nuk kemi ardhur këtu për të bërë diçka të paligjshme”, thotë ai.
Khadka, Mishra dhe Binay Kumar Jha thonë se nuk u tregojnë familjeve të tyre në Nepal për atë që po kalojnë, për të mos i shqetësuar, ndërsa të tjerët tundin kokën ose shikojnë në tokë.
Para protestave kundër punëtorëve të huaj, në Kragujevc kishte pakënaqësi dhe gjuhë urrejtjeje në rrjetet sociale. Më pas, gjatë protestave, disa banorë kërkuan që ata të largoheshin nga qyteti.
Më 7 dhjetor, në protestë morën pjesë edhe anëtarë të grupit ultra-djathtist “Patrulla Kombëtare” nga Beogradi.
A ka akuza të bazuara?
Të nxitur nga teori konspirative për të ashtuquajturin “zëvendësim i popullsisë”, disa banorë të Kragujevcit pretendojnë se punëtorët e huaj po ua rrezikojnë sigurinë dhe vendet e punës.
Aleksandri dhe Marija thonë për Radion Evropa e Lirë se “kanë dëgjuar” se punëtorët e huaj shqetësojnë fëmijë, vajza dhe gra dhe se ata nuk ndihen të sigurt të jetojnë pranë tyre.
Të pyetur nëse ekzistojnë prova konkrete për këto pretendime, ata thonë ‘jo’, por, megjithatë, mbeten në qëndrimin se punëtorët e huaj nuk duhet të jetojnë në qytetin e tyre.
Ndryshe mendon Tatjana, e cila i cilëson si racizëm këto akuza dhe thirrje kundër punëtorëve të huaj.
“Ata nuk i kanë bërë askujt asgjë të keqe. Janë të qetë dhe merren me punën e tyre”, thotë ajo, duke shtuar se po planifikon të nisë një peticion për mbrojtjen e punëtorëve të huaj.
Zëvendëskryetari i Komunës së Kragujevcit, Marko Jankoviq, i tha Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se pretendimet për gjoja rrezikim të popullatës lokale, nuk qëndrojnë.
Sipas tij, të gjithë shtetasit e huaj janë të angazhuar në punë, në përputhje me ligjet e Serbisë.
Më 11 dhjetor, edhe Policia e Serbisë u bëri thirrje mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që të mos publikojnë informacione të pasakta dhe të paverifikuara, pasi, sipas saj, ato rrezikojnë sigurinë e shtetasve të huaj.
Saroj Khadka nga Nepali thotë se policia në Kragujevc kujdeset për sigurinë e tyre aq sa është e mundur, por se ata përballen çdo ditë me situata të pakëndshme.
“Dje [më 12 dhjetor], dy vajza na tallën në autobus… Njerëzit zakonisht na shikojnë me ngulm – gjë që është e pakëndshme. Ne nuk duam t’i bëjmë keq askujt. Zakonisht shkojmë në punë në grupe prej pesë ose gjashtë personash dhe përpiqemi të mos biem në sy, të flasim vetëm mes vete dhe të mos shqetësojmë askënd”, thotë ai.
Duke buzëqeshur, shton se ndonjëherë ndihen “sikur të ishin të mallkuar”.
“Ka dhe kolegë të mirë”
Khadka thekson se jo të gjitha përvojat e tyre në Kragujevc janë të njëjta dhe negative, pasi ka edhe raste pozitive, kur banorët lokalë tregohen të sjellshëm ndaj tyre dhe përpiqen t’i ndihmojnë.
“Kam kolegë të mirë, sillen me ne si me miq”, thotë ai.
Punëtorë nga Nepali në një shtëpi të marrë me qira në Kragujevc, 13 dhjetor 2025.
Khadka beson, gjithashtu, se barriera gjuhësore kontribuon në mosbesimin e një pjese të banorëve të Kragujevcit dhe shton se ai dhe shokët e tij do të bëjnë çmos për ta mësuar gjuhën serbe.
Më 9 dhjetor, nisma joformale qytetare dhe akademike “Universiteti i Lirë i Kragujevcit” shprehu shqetësim për, siç u shpreh, “shfaqjet gjithnjë e më të shpeshta të ksenofobisë në shoqëri dhe në komunitetin lokal”.
“Ne dënojmë çdo përpjekje për kriminalizimin dhe demonizimin e shtetasve të huaj, si dhe keqpërdorimin e frikës sociale dhe ekonomike për të nxitur mosdurim”, thuhet në reagim.
Protestat kundër punëtorëve të huaj i dënoi edhe Lëvizja opozitare e Qytetarëve të Lirë në Serbi, duke theksuar se policia është dashur ta ndalojë tubimin e 7 dhjetorit në Kragujevc, pasi ai, sipas saj, i kishte të gjitha elementet e veprës penale të “nxitjes së urrejtjes” dhe “mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.