Putini dyfishon kërkesat maksimaliste

Presidenti rus Vladimir Putin tha se plani amerikan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë “mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të ardhshme”, por paralajmëroi sërish se Rusia është e gatshme të zgjerojë pushtimet e saj me forcë nëse Kievi nuk tërhiqet nga territoret që Moska i pretendon.

Duke folur para gazetarëve në Bishkek të Kirgizisë, Putin konfirmoi se një delegacion amerikan i kryesuar nga i dërguari special Steve Witkoff pritet të vizitojë Moskën javën e ardhshme, shkruan CNN.

Sipas tij, Kremlini është i gatshëm për “diskutime serioze”, megjithatë sinjalet për një përparim të shpejtë janë të pakta.

Kjo pasi presidenti rus përsëriti kërkesat e tij maksimaliste, duke thënë se lufta do të përfundojë vetëm “kur trupat ukrainase të tërhiqen nga territoret që ato i mbajnë të pushtuara”.

Putin paralajmëroi se nëse kjo nuk ndodh, Moska “do ta arrijë objektivin me mjete ushtarake”.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi se delegacioni i tij do të takohet me zyrtarë amerikanë këtë javë për të diskutuar pikat e negociuara në Gjenevë. Ai tha se edhe javën e ardhshme priten “negociata të rëndësishme”, por nuk dha detaje të tjera.

Rusia aktualisht kontrollon rreth 20 për qind të territorit të njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Ukrainës, duke përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesë të Donetskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias. Moska kërkon që Ukraina t’i dorëzojë plotësisht këto katër rajone, të cilat Rusia i ka aneksuar, por jo plotësisht nën kontroll.

Në javët e fundit, ushtria ruse ka regjistruar disa përparime në frontin lindor, kryesisht rreth qytetit të Pokrovskut. Megjithatë, Instituti për Studimin e Luftës (ISW) në SHBA thekson se përparimet mbeten të kufizuara dhe se një fitore e shpejtë ruse nuk është e pashmangshme.

Kievi dhe aleatët e tij evropianë kanë nënvizuar se çdo dorëzim territori është i papranueshëm. Kjo përfshin edhe “brezin fortifikues” të qyteteve strategjike që shihen si kyçe për sigurinë e Ukrainës.

Deklaratat e Putinit erdhën pas raportimeve të administratës amerikane, përfshirë edhe presidentin Trump, se po bëhej “progres i madh” në përpjekjet për paqe. Por plani fillestar 28-pikësh i hartuar nga SHBA, i cili sipas raporteve kishte ndikim rus, u kritikua rëndë nga Ukraina dhe vendet evropiane, duke u rishikuar më pas.

Putin konfirmoi se pret të diskutojë versionin e ri të draftit gjatë vizitës së Witkoffit, por shtoi se “do të ishte e papërshtatshme të flisnim për marrëveshje finale”.

Sipas tij, plani i rishikuar “mund të formojë bazën për marrëveshjet e ardhshme”, duke sinjalizuar një hapje të kujdesshme, por pa lëvizur nga kërkesat territoriale që e kanë bllokuar procesin e paqes që prej fillimit.

Shija e redaktorit

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

“Dita e Forcës”, kazermat e FSK-së të hapura për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së Forcës, sot duke filluar nga ora 09:00 deri në ora...

Enise Zijade, vajza tjetër e argjendtë e Kosovës

Xhudistja kosovare Enise Zijade ka shkëlqyer sot në Podgoricë, duke u renditur e dyta dhe duke siguruar medaljen e argjendtë. Ajo nisi garën me një...

Të fundit nga rubrika