Qendra e Studentëve do t’i nënshtrohet rinovimit 70 milion € për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, kanë nisur projektet e mëdha infrastrukturore, me fokus të veçantë në transformimin e Qendrës së Studentëve, e cila do të shndërrohet në zonën kryesore të akomodimit për mijëra sportistë nga vendet e Mesdheut.

Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Agjencisë për Sport në MKRS, Fidan Shatri, dha detaje mbi kapacitetet, investimet dhe afatet kohore, duke theksuar se Qendra e Studentëve është zgjedhur si qendra kryesore e strehimit të sportistëve.

“Qendra e Studentëve do të shndërrohet në pikën kryesore të akomodimit për sportistë nga i gjithë Mesdheu. Prishtina 2030 do të sjellë një rinovim tërësor të të gjitha objekteve aktuale dhe ndërtimin e hapësirave të reja”, deklaroi Shatri.

Aktualisht, Qendra e Studentëve ka rreth 3300 vende akomodimi, por sipas Shatrit, rinovimet e thella dhe ndërtimi i godinave të reja do ta çojnë këtë kapacitet mbi 4500 shtretër, duke i bërë objektet të përshtatshme për standardet evropiane dhe për ngjarje të tjera ndërkombëtare pas vitit 2030.

“Do të renovohet çdo ndërtesë në Qendrën e Studentëve dhe do të ndërtohen objekte të reja, të cilat do të mbeten trashëgimi për aktivitetet sportive edhe pas Lojërave Mesdhetare. Synimi është që këto hapësira të shfrytëzohen me standarde të larta dhe për organizime të tjera ndërkombëtare”, tha Shatri.

Ai bëri të ditur se kostoja e përgjithshme e projektit kap vlerën rreth 70 milionë euro, që do të përfshijë rinovimin e Qendrës së Studentëve, Sallës “1 Tetori” dhe Menzës së Studentëve. Investimi do të financohet nga Qeveria e Kosovës përmes MKRS-së dhe MASHT-it, në bashkëpunim me kredinë e Agjencisë Franceze për Zhvillim.

“Krahas rinovimit, do të ndërtohen dy objekte të reja për akomodimin e sportistëve dhe studentëve. Menzën e Studentëve do ta modernizojmë për t’iu përgjigjur fluksit të madh gjatë lojërave, ndërsa Salla ‘1 Tetori’ do të pajiset me infrastrukturë bashkëkohore”, theksoi ai.

Sipas planifikimeve, punimet pritet të nisin në gjysmën e parë të vitit 2027 dhe të përfundojnë në gjysmën e dytë të vitit 2029, duke garantuar që kapacitetet infrastrukturore të jenë të gatshme për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”./KP

Shija e redaktorit

Nxënësit në Klinë e mirëpritën promovimin e 26 lektyrave nga...

Disa i kanë pasur në duar, e shumë prej tyre mezi presin t'i lexojnë lektyrat me personazhet e preferuara. ''Unë mendoj se pinokio është përrallë...

Kosova ndër shtetet themeluese të Bordit të Paqes, nënshkruan Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nënshkruar në themelimin e Bordit të Paqes, iniciativë kjo e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump. Osmani gjatë momentit...

Osmani ftohet nga Trump t’i bashkohet Bordit të Paqes

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka pranuar ftesën personale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të...

Të fundit nga rubrika