Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një numër të madh projektligjesh, duke përfshirë edhe atë për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.
Përveç këtij projektligji, kabineti qeveritar ka aprovuar edhe projektligjin për shtetësinë e Kosovës, për lëndët plasëse, për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për provimin e maturës shtetërore, si dhe ndryshim-plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, projektligjin për shërbimet e pagesave dhe atë për organizimin e Lojërave Mesdhetare XXI Prishtina 2030.
Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore u prezantua nga ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, e cila bëri të ditur se ai parasheh krijimin e një bordi të pavarur për rregullimin e çmimeve në situata të jashtëzakonshme.
“Sa i përket vendimmarrjes, për këto masa parashikohet themelimi i një bordi të pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve, i cili do të emërohet nga Kuvendi dhe do t’i raportojë atij. Në projektligj janë përcaktuar edhe kushtet për emërimin e anëtarëve të bordit, kompetencat e tij, si dhe procesi i vendimmarrjes””, tha Kusari-Lila.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi këtë projektligj si tejet të rëndësishëm në përballjen me sfidat ekonomike dhe rritjen e çmimeve.
” Ja ku jemi shumë muaj pas, me kriza të reja, që këto kriza e prekin edhe xhepin e qytetarëve andaj po e risjellim për miratim këtë projektligj që vjen si përgjigje ndaj një realiteti që kanë përjetuar. Rritjet e papritura të çmimeve. Me këtë ligj nuk po hyjmë në tregun e lirë, por po e mbrojmë lirinë e tregut nga abuzimi. Ky ligj rrit parashikueshmërinë për bizneset, dhe garanton rregulla të barbarta. Ky ligj garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produkte bazë në kohë krize, parandalon përfitimet në kurriz të qytetarëve. Krijon mekanizëm të pavarur, Bordin që vendos mbi bazën e të dhënave e interesit publik, e kurrsesi të interesave të ngushta. Kjo nuk është risi vetëm për Kosovën, shtetet e BE-së kanë mekanizma të tillë”, ka theksuar Kurti.