Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e kësaj të premte ka njoftuar për pakon e re ‘inflacioni 2.0’ si formë mbështetëse për qytetarët e vendit.
Edhe pse e gjithë kjo po ndodh pak para zgjedhjeve që do të mbahen më 7 qershor, Kurti para kabinetit qeveritar deklaroi se kjo pako është e nevojshme dhe pjesë e premtimeve të qeverisë, njofton Dukagjini.
“Sot kam kënaqësinë që të ju informoj për pakon për përballjen me inflacionin 2.0 dhe si vijon: Mbështetje 100 euro për pensionistët, mbështetje prej 100 për punëtorët e sektorit jo-publik, 100 euro mbështetje për fëmijët, 100 për studentët aktivë”, ka deklaruar Kurti.
Ai tha se për kategorinë e pensionistëve dhe fëmijëve nuk duhet të ketë nevojë për aplikim ndërsa për punëtorët e sektorit privat dhe studentët duhet të bëhet përmes një aplikimi.
“Të gjendur përballë kësaj situatë qeveria jonë nuk mund të qëndroj duarkryq. Unë kam kërkuar nga ministri i Financave që ët shfrytëzoj çdo mundësi buxhetor për të dizajnuar një pako për përballje me inflacionin ashtu siç jemi zotuar. Qytetarët e Republikës duhet ta dijnë dhe gjithmonë duhet të llogarisin se qeveria jonë dhe e tyre nuk do ti lërë kurrë vetëm pavarësisht pengesave apo bllokadave që të tjerët mund ti vendosin në rrugën tonë. Prandaj sot kam kënaqësinë të ju njoftoj për pakon me përballje me inflacionin 2.0 të cilën e kemi dizajnuar dhe do ta miratojmë sot me masat si vijon: mbështetje e njëhershme prej 100 euro për pensionistët, mbështetje e njëhershme prej 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jo publik, 100 euro për studentët aktiv”, u shpreh Kurti.
Kurti, mes tjerash, bëri të ditur se edhe shtesat për gratë lehona do të rriten nga 350 në 500 euro që nga ky muaj.
“Për këtë nuk do të presim deri në korrik fare”, u shpreh Kurti.
