Qytetarët në hall nga grabitësit – Tri raste serioze vetëm gjatë muajit nëntor, ndërsa 72 nga janari deri në tetor

Grabitja në një argjendari në Suharekë, bankomati i hedhur në erë në Gjilan dhe parandalimi i grabitjes së armatosur në rrugën kryesore Ferizaj-Prishtinë afër një pike karburanti janë vetëm tri rastet e fundit ku janë përdorur armët e gjata dhe për këtë flasin ekspertët e sigurisë si dhe sociologët për të kuptuar motivet kryesore që qojnë deri në aktin e kryer

Rritja e numrit të grabitjeve në Kosovë ka shtuar dyshimet në lidhje me sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Madje, për më pak se dy javë kanë ndodhur disa grabitje të armatosura, e rasti i fundit është ai i Suharekës, që ndodhi të mërkurën e 22 nëntorit rreth orës 15:45, ku mbetën të lënduar dy policë e ku besohet se u vodh ari me vlerë mbi 250 mijë euro.

Një rast tjetër i grabitjes së armatosur ka ndodhur edhe në Gjilan të hënën e 20 nëntorit, ku u tentua një vjedhje e rëndë. Bankomati i njërës prej bankave komerciale në Kosovë, ishte cak i grabitësve të armatosur.

Rreth orës 04:50 të së premtes së tre nëntorit, në rrugën kryesore Ferizaj-Prishtinë, afër një karburanti, ka ndodhur një grabitje tjetër me armë, e cila më pas është parandaluar me ndërhyrjen e Policisë.

Këto janë tri nga grabitjet e armatosura të fundit që kanë ndodhur në territorin e Kosovës.

Statistika nga Policia e Kosovës

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Policia e Kosovës bën të ditur se në vitin 2023, në periudhën Janar-tetor 2023, janë gjithsej 72 raste të veprës penale “grabitja”.

Për sa i përket rasteve nga vepra penale ”Grabitja”, në vitin 2022 numërohen 91 të tilla.

Statistika nga Policia e Kosovës

Eksperti i Sigurisë, Arben Dashevci, lidhur me grabitjet e armatosura të ndodhura në vend, ka theksuar se përqëndrimi i Policisë në komunat veriore të vendit nuk ndikon në shtimin e rasteve të grabitjes, pasi sipas tij, Policia e Kosovës ka mjaftueshëm kapacitete për çfarëdo sfide të shfaqur.

Por, ai ka theksuar se Kosovës i nevojitet të ketë kontroll më të shpeshtë me vendosjen e kamerave të sigurisë gjithandej, vëzhgimin dhe kontrollimin e objekteve, hapësirave, vendeve të rrezikuara.

“Situata në veri ose përqëndrimi i Policisë atje, ndikon në shtimin e rasteve të grabitjeve për faktin se Policia ka kapacitete dhe resurse të mjaftueshme humane, pajisje teknike etj, t’i përgjigjet çfarëdo sfide në çdo cep të Republikës së Kosovës. Nevojitet preventiva dhe kujdesi. Duhet të formohen grupe operative (të përbëra nga zyrtarë të uniformuar dhe civil të operativës), të cilët do të kryejnë veprime të drejtpërdrejta preventive dhe represive. Duhet të forcohet kontrolli i automjeteve dhe i vozitësve në hyrje dhe dalje të qyteteve, krejt kjo si preventiv në parandalimin e kriminelëve potencialë. Duhet të forcohet vëzhgimi dhe kontrolli i objekteve, hapësirave dhe vendeve të rrezikuara. Vendosja e kamerave të sigurisë nëpër vende kyqe për monitorim dhe preventiva efikase”, ka theksuar Dashevci.

Njohësi i çështjes së sigurisë, Arben Dashevci, ka shtuar se pas shtimit të rasteve të grabitjeve të armatosura që po ndodhin, është edhe shkaku i armëve ilegale që gjenden akoma në vend.

Sipas tij, për ta luftuar dukurinë e armëve ilegale, duhet të merret shembull nga Britania e Madhe.

Arben Dashevci, ekspert i sigurisë

“Në Kosovë që nga paslufta ka sasi të mëdha të armëve ilegale. Duhet të shpallet amnistia për dorëzimin e armëve ilegale dhe pastaj qasja zero tolerancë. Shembull, rastin e Londrës para sa viteve. Në disa lagje problematike të Londrës ku krimi lulëzonte, aty ku njerëzit silleshin me armë ilegale kudo, ndodhnin grabitje të ndryshme. Komuniteti u shqetësua, filluan ankesat dhe brengat e tyre kundrejt këtyre dukurive brengosëse. Policia erdhi me një ide brilante, nisi me shpërndarjen e fletushkave dhe u shpall amnistia 30-ditore, u shkyçën të gjitha kamerat në atë zonë (Londra është e mbushur me kamera në çdo cep), u dha garanci se nuk do të ndiqen penalisht ata që dorëzojnë armët ilegale, populli u vërtetua dhe nisi dorëzimi i armëve ilegale në një sasi aq të lartë sa mori jehonë në krejt Britaninë e Madhe. Dhe pas kësaj amnistie, duhet të jetë qasja zero tolerancë dhe do të kishte rezultat te ne nëse krahas Policisë e zbatojnë edhe Prokuroria dhe Gjykata krejt kjo në periudhë të caktuar kohore, deri në stabilizinin e situatës dhe jo më shumë. Le të na shërbejë rasti i Londrës si model për ne, sepse ka qenë rast efektiv dhe i suksesshëm”, ka shtuar Dashevci.

Eksperti i sigurisë, Armend Halimi, ka thënë Kosova ka marrë epitetin e një vendi të pasigurt, sidomos pas grabitjeve dhe vrasjeve të ndodhura kohët e fundit.

Eksperti i sigurise, Armend Halimi

“Kriminaliteti çdo kund dhe në çdo kohë është prezent, mirëpo niveli kaq i lartë i krimeve të rënda, sidomos të vrasjeve dhe grabitjeve, ka bërë që vendi ynë të marrë epitetin e një vendi të pasigurt, gjë që kjo nuk do të duhej të ndodhë me një numër të mjaftushëm të Policisë dhe prezencës ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Sipas Halimit, kur një rast kriminaliteti ndodh në numër të madh për një periudhë të shkurt kohore, duhet ngritur atë dukuri si çështje sigurie, për t’u ndërtuar strategji emergjente për t’i aktivizuar gjithë mekanizmat e sigurisë.

“Padyshim që në radhë të parë të shkojë mendja është mungesë e çasjes profesionale nga instancat menaxheriale të sigurisë, duke mos shpresuar në mungesë vullneti. Prandaj, kur një rast kriminaliteti ndodh në numër të madh për një periudhë të shkurt kohore, duhet ngritur atë dukuri si çështje sigurie, për t’u ndërtuar strategji emergjente për të aktivizuar gjithë mekanizmat e sigurisë, e që mund të hyjë shtimi i patrullimeve policore me njësi speciale, pastaj shpërndarja e tyre më e tepërt në zona me nevojë apo të identifikuar si zona problematike”, ka shtuar ai.

Sociologu Jeton Brajshori ka thënë se disa nga faktorët sociologjikë që i nxisin personat që të bëjnë krime janë “faktori socio-ekonomik, varfëria e skajshme, arsimimi i dobët, papunësia e madhe, sistem i dobët i gjyqësorit, probleme të trashëguara të mëhershme”.

Jeton Brajshori, sociolog

“Statistikave botërore të krimit, në vend të parë del “papunësia”, por kjo ka të bëjë me delikuenca të vogla. Në vendet ku ka pabarazi shoqërore, korrupsion, krimi automatikisht është më i madh, por ka edhe raste kur personat nuk dëshirojnë të jenë konformistë dhe në këtë mënyrë dëshirojnë t’i kundërshtojnë normat shoqërore. Te ne në Kosovë sistemi gjyqësor ka dështuar totalisht, sepse kemi afër 1000 recidivistë, të cilët enden të lirë rrugëve dhe në këtë mënyrë çdo ditë ka rrezik për grabitje të tilla. Edhe gjyqësori është i përfshirë në krime të tilla në mënyrë indirekte”, ka thënë Brajshori.

Ndërsa, për efektet e shfaqjeve të tilla kanë pasoja të mëdha dhe do të jenë pa norma në shoqëri, duke e shndërruar atë në anarkike.

“Pasojat janë të mëdha për shoqërinë, sepse mund të vijmë në një situatë të anomisë shoqërore, siç e quan Durkhaim. Pra, do të kemi një shoqëri pa norma edhe në fazat e mëvonshme, kjo krijon pasiguri në shoqëri dhe si akt i fundit ekstrem kalojmë në shoqëri anarkike. Në momentin që ka krime të vazhdueshme, humb edhe dëshira për të jetuar në vend, dhe në këtë mënyrë të shtyrë nga faktori “push” duhet të kërkohet një jetë më e mirë në shtetet tjera dhe kjo ka ndikim zinxhiror në sferat shoqërore nga rënja e ekonomisë, sigurisë deri te nataliteti në përgjithësi!”, ka përfunduar Brajshori.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika