“Radar” Një dekadë jetë me ty

Emisioni ”Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, shënoi ditëlindjen e 10-të, ku i gjithë emisioni i ditës së hënë ishte festiv dhe padyshim duke i ndihmuar edhe shumë raste në nevojë. Si asnjëherë më parë, moderatoja Edita Doli, u pa e emocionuar nga një përmbledhje e bërë gati nga stafi i “Radarit” për këto dhjetë vite jetë të emisionit

Emisioni "Radar" me Edita Doli

Emisioni ”Radar” me Edita Doli në Radio Dukagjini, shënoi ditëlindjen e 10-të, ku i gjithë emisioni i ditës së hënë ishte festiv dhe padyshim duke i ndihmuar edhe shumë raste në nevojë, duke e vazhduar kështu traditën disa vjeçare.

Si asnjëherë më parë, moderatoja Edita Doli, u pa e emocionuar nga një përmbledhje e bërë gati nga stafi i “Radarit” për këto dhjetë vite jetë të emisionit. Ajo tregoi se si për të gjitha këto vite së bashku me dëgjuesit përjetuan shumëçka, gëzimin, hidhërimin, lotin e buzëqeshjen dhe sot janë krah i djathtë i shumë dëgjuesve në nevojë dhe jo vetëm.

Doli ka treguar se si nisi emisioni “Radar” dhe kush e ndihmoi në realizimin e këtij projekti.

“Pas një pune disa vjeçare si gazetare, vendosa ta realizoj një projekt ndryshe me një përgjegjësi shumë të madhe, por asnjëherë komerciale. Ishte 10 dhjetori i vitit 2012 ditë e hënë kur bashkë me kolegun Arben Rexhepi, nisëm një projekt të ri me një format të pa parë e dëgjuar ndonjëherë në mediat tona. Vendosëm ta quajmë “Radar”, një emër ky për të cilën nuk u desh shumë kohë dhe bëri bujë gjithandej vendit duke u bërë edhe emisioni më i dëgjuar në vend. Në këtë projekt kontribut të madh dhanë një staf i tërë të cilët meritojnë falënderim: Arben Rexhepi, Gent Gorani, Arsim Limani, Atdhe Llapaqi, Denis Pupus, Erëza Hoti, Valon Dërvisholli, Kushtrim Konjusha, Diamant Maxharraj, Uran Doli dhe Merita Berisha Prebreza”, ka thënë Doli.

Moderatorja Doli, tregoi edhe si arriti që një emision si “Radar” me shumë rubrika, lojra shpërblyese e telefonata të bëhet mbështetje për dëgjuesit që kanë nevojë për ndihmë humanitare.

“Gjithçka nisi nga një njoftim për ndihmë për rastin e Olti Obrazhda, i cili po përballej me një sëmundje të rëndë. Në ndihmë të Oltit u organizuan edhe koncerte humanitare ku përformuan artistë të shumtë në mbrëmjen e 23 tetorit 2013. Mirëpo kjo nuk mjaftoi pasi që Oltit prap iu keqësua gjendja dhe babait të Oltit, Fatmirit, i’u desh të merrte rrugën për në Francë në mënyrë ilegale për të kërkuar shërim për Oltin. Prej atëherë dora e humanizmit nuk u ndal asnjëherë në ‘Radar'”, ka thënë Doli duke falënderuar të gjithë ushtarët e “Radarit” për gatishmërinë e treguar për ndihmë.

Humanizmi i “Radarit” brenda një periudhe të shkurtër kaloi edhe kufijtë duke arritur edhe në Londër. Me 26 dhjetor 2015, me ftesë të ambasadorit të Kosovës në Angli, Lirim Grejqevci dhe nën organizimin e humanistes Adelina Toplica Badivuku, është mbajtur mbrëmja e parë humanitare në Londër, “Ndihmë për familjet skamnore në Kosovë” dhe më pas edhe gala mbrëmja ku u ndihmuan 35 familje nga bashkatdhetaret tanë në diasporë për vite me radhë në forma të ndryshme.

Vlen të theksohet se “Radar”, vite më parë kishte siguruar për “Cure to Children” një kombi që do të barte fëmijët e prekur me leukemi dhe edhe sot ata udhëtojnë me mbishkrimin Radar.

Emisioni “Radar” ka arritur që sot mjafton vetëm një thirrje dhe të gjithë ushtarët bëhen bashkë dhe për pak minuta u dalin në ndihmë nevojtarëve.

Ndihmat nga emisioni “Radar”, me Edita Doli, në Radio Dukagjini janë të panumërta dhe vazhdojnë edhe sot, si për familje me kushte të rënda ekonomike, por edhe në rastet kur familjet nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet për shërimin e fëmijëve të tyre me sëmundje të rënda.

Iniciativa barnatorja është një tjetër nismë e “Radarit” e që u doli në ndihmë shumë pacientëve që përballen me sëmundje të ndryshme. Kjo iniciativë realizohet një herë në javë në barnatoren MF Farm në oborrin e QKUK-së, ku dhurohen medikamente falas për qytetarë të shumtë teksa po përballen me sëmundje të ndryshme. Dhe kjo iniciativë për disa muaj ka kontribuuar me mbi 16 mijë euro për medikamente.

E në 10 vjetorin e emisionit “Radar”, të hënën e 12 Dhjetorit, ëndrra e Artea Ademaj, një vajzë 9 vjeçare nga fshati Loxhë, komuna e Pejës u bë realitet. “Radar” bashkë me shtëpinë Botuese Dukagjini, botuan librin “Ditët e Vështira”, me poezi të cilat Artea, i kishte shkruar gjatë kohës sa ishte duke u trajtuar në repartin e Hemato-onkologjisë në Pediatri në QKUK.

Edhe shumë familje si ajo e Adem Salihut nga fshati Baincë e Ferizaj dhe Valon Paçarizin u ndihmuan në emisionin festiv të 10 vjetorit të “Radarit”.

Ekipi i emisionit “Radar” me Edita Doli, në Radio Dukagjini, ka falënderuar të gjithë ushtarët që përmes ndihmës së tyre edhe të pamundurën e bëjnë të mundur.

“Bashkë, i’a dolëm edhe atëherë kur jeta na mbështeti tek muri. Gjithçka, ishte më e lehtë fal mbështetjes suaj të pakusht që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni çdo moment. Gjithë ju ushtarë të “Radarit”, miq e mikesha, Urime 10 vjetori bashkë festofshim dekada me radhë”, thuhet në urimin e tyre.

“Radar”, mos u ndal, e rrofsh sa malet.

Shija e redaktorit

Ali Ahmeti: Dëshmia e James Rubin çmontoi propagandën kundër UÇK-së

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë nga James Rubin në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë...

“Me zemër e mendje jam atje Komandant!”: Edi Rama përkrah...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dalë me videopërkrahje të protestës kundër Gjykatës Speciale që po zhvillohet në Hagë, nga shqiptarë anekënd botës. Rama shkroi...

Shqipëria hap 4 kapituj të rinj në negociatat me BE...

Shqipëria do të hapë më 16 shtator katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në kuadër të Konferencës së 6-të...

Të fundit nga rubrika