Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka folur sërish për mungesën e energjisë elektrike në disa qendra të votimit.
Radoniqi, në konferencën e radhës për media, u shpreh se mungesat e energjisë elektrike janë të shkurtra teksa bëri të ditur se votimi nuk do të ndërpritet në asnjë mënyrë, njofton Dukagjini.
“Jemi duke pranuar raportime të ndryshme nga qendrat e votimit lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës, dhe dy qendra të tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm në rikthimin e energjisë elektrike dhe sipas informacioneve kjo ka ndodhur për një kohë shumë të shpejtë”, tha ai.
“Procesi i votimit nuk do të ndërprite, procesi i votimit sipas ligjit ka 12 orë. Ne do të sigurohemi që nuk do t’i lënë në terr të votohet por procesi i votimit nuk mund të ndërpritet”, tha ai, teksa kërkoi nga qytetarët që të kursejnë energjinë.
