Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar zhbllokimin urgjent të projektit të Unazës së Prishtinës, të cilin e cilëson si një projekt me rëndësi strategjike kombëtare.
Në letër, Rama thekson se Unaza e Prishtinës është “një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, duke shtuar se ajo nuk është vetëm një nevojë urbane, por edhe një investim me peshë kombëtare dhe rajonale, njofton Dukagjini.
Ai kritikon faktin se projekti ka mbetur i bllokuar për më shumë se katër vjet në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së Komunës së Prishtinës.
“Unaza e Prishtinës është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për kryeqytetin dhe për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky projekt nuk është vetëm një nevojë urbane për lehtësimin e trafikut dhe rritjen e funksionalitetit të qytetit, por edhe një investim strategjik me rëndësi kombëtare dhe rajonale. Megjithatë, për më shumë se katër vjet, realizimi i këtij projekti ka mbetur i bllokuar në nivelin qendror, pavarësisht gatishmërisë së plotë teknike, ligjore dhe procedurale të Komunës së Prishtinës. Ky bllokim i zgjatur ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët e kryeqytetit dhe po cenon seriozisht interesin publik”, ka shkruar Rama në letrën e bërë publike.
Rama, mes tjerash, i ka kujtuar Kurtit edhe qëndrimet e tij gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se gjatë fushatës zgjedhore, ai publikisht ka bërë thirrje për zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, ndërsa sot, sipas tij, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme.
“Gjatë fushatës zgjedhore, ju publikisht keni bërë thirrje për zhbllokimin e Unazës së Prishtinës, duke e pranuar rëndësinë e saj strategjike dhe kombëtare. Sot, pas shprehjes së qartë të vullnetit demokratik të qytetarëve të Prishtinës, ekziston edhe mandati institucional për ta çuar këtë projekt përpara pa vonesa të mëtejshme”.
Në letër, Rama paralajmëron për rrezikun e humbjes së fondeve ndërkombëtare, duke bërë të ditur se projekti është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40 për qind janë grant.
“Dua të theksoj se projekti i Unazës së Kryeqytetit është miratuar për financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) në vlerë totale prej 206 milionë euro, nga të cilat deri në 40% janë fonde grant, respektivisht deri në 82.4 milionë euro mjete të pakthyeshme. Këto fonde janë të kushtëzuara me afate të qarta kohore dhe çdo zvarritje institucionale rrezikon drejtpërdrejt humbjen e tyre”, thuhet në letër.
Rama, gjithashtu, nënvizon se Unaza e Prishtinës është pjesë e rrjetit të autostradave të Ballkanit Perëndimor dhe nuk duhet trajtuar si projekt lokal, por si prioritet strategjik shtetëror.
“Në emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkoj publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës këtë projekt nacional ta zhbllokojë”, shkruan Rama, duke shtuar se pengesat administrative dhe institucionale duhet të hiqen menjëherë për të mundësuar nisjen e punimeve.
Në fund të letrës, Rama thekson se projekti nuk ka karakter politik dhe se emër të qytetarëve të Prishtinës, kërkon publikisht që Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, këtë projekt nacional ta fus në cilindo cep të “trekëndëshit” Kant, Mill, Aristotel të qeverisjes, por ta zhbllokojë!
“Kërkojmë që menjëherë të zhbllokohen gjitha pengesat administrative dhe institucionale që po e pengojnë realizimin e Unazës së Prishtinës dhe të mundësojë fillimin e punimeve pa vonesa të mëtejshme. Ky nuk është një projekt politik. Nuk i shërben një partie apo një mandati, por zhvillimit afatgjatë të vendit, ekonomisë, mobilitetit urban dhe cilësisë së jetës së qytetarëve. Vazhdimi i bllokimit dëmton interesin publik dhe e penalizon padrejtësisht Kryeqytetin për shkak të moskoordinimit institucional”.