Rama në mesazhin e Vitit të Ri 2026: Shqipëria sot është më lart se kurrë më parë në Europë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përcjellë mesazhin e tij për Vitin e Ri 2026, duke vënë theksin te arritjet e dekadës së fundit, integrimi europian, transformimi i infrastrukturës dhe zhvillimi ekonomik e digjital i vendit.

Në fjalimin drejtuar qytetarëve, Rama u shpreh se viti që po mbyllet e gjen Shqipërinë “më lart se në ditën kur hyri”, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen elektorale dhe 83 mandatet e dhëna qeverisë.

“Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush i dha qeverisë sonë fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve”, tha ai.

Kryeministri theksoi se kjo mbështetje do të shërbejë për realizimin e objektivit madhor të anëtarësimit në Bashkimi Europian.

“Do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian”, u shpreh Rama.

Ai renditi një sërë arritjesh që, sipas tij, kanë ndryshuar imazhin dhe realitetin e vendit, duke përmendur organizimin e takimeve të nivelit të lartë ndërkombëtar, zhvillimin e turizmit dhe infrastrukturës.

“Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike”, tha Rama.

Në fokus të fjalës ishte edhe infrastruktura rrugore dhe turistike, me përmendjen e rrugës së Arbrit, Vermoshit, Thethit, Valbonës dhe rilindjes së qyteteve historike. Sipas tij, numri i turistëve ka arritur shifra të paimagjinueshme në fillim të dekadës.

Një pjesë e rëndësishme iu kushtua qeverisjes digjitale dhe platformës e-Albania. Rama tha se Shqipëria është ngjitur 54 vende në renditjen globale të qeverisjes digjitale, duke u renditur e 14-ta në botë. Sipas tij, e-Albania u ka kursyer qytetarëve rreth 620 milionë euro dhe 7.500 vite pritje në sportele.

Kryeministri foli edhe për sigurinë kibernetike, energjinë dhe sovranitetin energjetik, duke deklaruar se Shqipëria synon që brenda këtij mandati të mos importojë më energji nga jashtë.

“Do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për import të energjisë”, tha ai.

Në planin europian, Rama deklaroi se Shqipëria e mbyll vitin si vend pararendës në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

“Ky vit mbyllet për Shqipërinë me ngjitjen e saj në pozicionin e front-runner-it të integrimit”, u shpreh ai.

Në përmbyllje, kryeministri u shpreh optimist për të ardhmen dhe uroi qytetarët për Vitin e Ri.

“Kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush… Gëzuar, kudo ku jeni, me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë”, tha Rama.

Shija e redaktorit

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Presidentja Osmani uron qytetarët për Vitin e Ri 2026: Kosova...

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë urimin e saj për Vitin e Ri 2026, duke theksuar rëndësinë e reflektimit për vitin...

Kosova voton sot

Rreth dy milionë shtetas të Kosovës do të kenë mundësi të votojnë sot (e diele) më 28 dhjetor në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa...

Të fundit nga rubrika