Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përfunduar vizitën në Hagë, tek ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që po gjykohet atje.
Rama thotë se Thaçi ishte në formë, i qetë dhe i buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të herkurt.
Tutje, Rama bëri të ditur se bashkë me Thaçin kanë folur për familjet, miqtë e përbashkët dhe për Shqipërinë e Kosovën.
“E kam gjetur komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt, edhe pse me ndalime absurde të drejtash minimale që i ishin hequr krahasimisht me herën e kaluar – një turp më vete me një fjalë! Kemi folur për familjet, për miqtë e përbashkët, për Shqipërinë e për Kosovën, për “Skënderbeun” e Aurel Plasarit, që ia pata çuar më parë, për librin e fundit të Kisingerit që ia çova këtë herë, e për dy a tre libra të tjerë nga moria e leximeve të tij në këtë vend, të cilin me të qeshur Hashimi e quan “institut”, ka shkruar Rama.
Mes tjerash, Rama, u shpreh se nuk di çfarë të thotë për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Evropës demokratike.
“Nuk di ç’të them më për këtë padrejtësi ulëritëse në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve të Europës e SHBA-së dhe me me fondet e taksapaguesve europianë e amerikanë, ndaj një populli europian që çliroi vetveten nga një regjim nacional-socialist, po edhe Europën nga një njollë e zezë apartajdi mu në kërthizën e saj për dekada me radhë. Bekuar qofshin Republika e Kosovës, Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të burgosurit e saj pa gjyq, prej më shumë se pesë vjetësh tanimë, në mes të Europës së lirisë, demokracisë e shtetit ligjor”, ka shkruar Rama.