Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama komentoi sot protestat e opozitës, ndërsa u shpreh se qëllimi i tyre është vetëm të prodhojnë foto me zjarre e dhunë dhe t’i shpërndajnë ato nëpër botë.
Gjatë një takimi me banorë të prekur nga rrëshqitja e rrugës Librazhd-Përrenjas, Rama u shpreh se opozita kërkon të dëmtojë imazhin e vendit.
“Ne kemi plot arsye për t’u kritikuar, unë vetë mendoj se jam socialisti më i pakënaqur dhe pakënaqësia te socialistët është virtyt. Por, përtej gjërave që nuk shkojnë ose mund të shkojnë më mirë, tërësia e gjërave flet vetë”, tha Rama.
Kryeministri Rama siguroi se “nuk kemi për ta lejuar të na ndodhë përsëri ajo që u ka ndodhur shqiptarëve shumë herë në histori, kur i janë afruar momentit për të marrë kthesën e madhe”.
“Janë ngatërruar me këmbët e tyre për shkak të shqiptarëve, jo të të tjerëve as të armiqve. Më të egrit armiq të shqiptarëve, janë shqiptarët. Kjo është e vërteta në kohë të ndryshme. Gjithë ato çfarë bëhet në ato pocaqi protesta, që janë si jashtëderdhje njerëzore në bulevard, bëhet vetëm për fotografitë që prodhohen nga zjarret dhe nga dhuna për t’u çuar nëpër botë”, tha Rama.
Sipas tij, “kjo bëhet për të thënë se ‘kjo është Shqipëria, mos shkoni në Shqipëri, mos bëni turizëm, mos investoni, mos besoni tek Shqipëria, se është e zhytur në korrupsion’”.
“Si qenka Shqipëria e zhytur në korrupsion, kur korrupsioni po luftohet më shumë se çdo herë tjetër?! Po të shohësh faktet sot që flasim, edhe rastet që trajtohen dhe që janë trajtuar janë 85% raste që i përkasin mandatit të parë dhe të dytë, dhe në të gjitha ato raste 10 janë me akuzën e korrupsionit. Është shumë më ndryshe e vërteta nga sa tregohet. Patjetër që kemi problem me korrupsionin, por kush nuk ka? A po e lufton tjetër kush në rajon, siç po e luftojmë ne? Askush”, tha Rama./KP