Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fitër Bajramit, pas një vizite që ka realizuar në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Rama u takua me Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, të cilin e falënderoi për bashkëpunimin dhe kontributin e vazhdueshëm në shoqëri.
Ai vlerësoi lart rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke theksuar se ajo luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes, bashkëpunimit dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme për vendin.
“Sot pata kënaqësinë të vizitoj Myftiun Tërnava për t’ia uruar Bajramin dhe për ta falënderuar për punën e jashtëzakonshme që bën Bashkësia Islame në kryeqytet dhe në gjithë Kosovën. Ata gjithmonë punojnë për paqe, bashkëpunim dhe një të ardhme më të mirë për vendin tonë”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkësinë Islame, duke shprehur shpresën se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në fund, ai uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.