Ramabaja me parashikim: Zgjedhjet nacionale mund të mbahen në fund të vitit ose deri në shkurtin e ardhshëm

Analisti politik Sadri Ramabaja ka parashikuar se zgjedhjet e reja nacionale mund të mbahen këtë vit apo të shtyhen për në fund të janarit ose eventualisht në shkurtin e vitit të ardhshëm.

Në një diskutim në Debat Plus, Ramabaja tha se kjo lidhet ngushtë me procesin gjyqësor në Hagë.

“Secila prej këtyre dy forcave politike llogarit se epilogu i Gjykatës në Hagë mund ta favorizojë njërën, respektivisht tjetrën. Dhe kjo është arsyeja pse jam më i prirur të besoj se zgjedhjet mund të shtyhen nga fundi i janarit të vitit të ardhshëm, eventualisht në shkurt të vitit të ardhshëm”, u shpreh ai.

Duke komentuar edhe takimin e sotëm në Ambasadën Amerikane mes Memli Krasniqit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinajt, ku nuk pati deklarime pas përfundimit, Ramabaja theksoi se heshtja e tyre ka domethënie të veçantë.

“Për mua ka kuptim dhe hedh dritë mbi mundësitë e daljes nga situata duke iu kthyer rregullave të demokracisë liberale. Çfarëdo përpjekje për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit përmes bllokimit të institucioneve, respektivisht çfarëdo shprese se në pushtet në demokracitë liberale mund të vihet mes zarfeve, tashmë ka përfunduar”, tha ai.

Ramabaja shtoi se zgjedhjet mbeten rrugëzgjidhja, por momenti i mbajtjes së tyre do të varet edhe nga balotazhi i zgjedhjeve lokale.

“E kam fjalën për balotazhin që do të jetë. Për mua mendoj se do të jenë në dhjetor, por janë dy forca politike që do t’u konvenonte të hynin në vitin e ardhshëm… Partia Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje”, tha Ramabaja.

Të fundit nga rubrika