Agjencitë e lajmeve Reuters dhe Axios raportojnë se një propozim për ndalimin e armiqësive mes SHBA-së dhe Iranit u është dërguar të dyja palëve.
Sipas raportimeve, plani përmban një qasje me “dy nivele”, një armëpushim të menjëhershëm, i cili do të pasohej më pas nga një marrëveshje më e gjerë dhe përfundimtare.
Kjo përputhet edhe me raportimet e mëparshme se ndërmjetësit po diskutojnë një armëpushim 45-ditor.
Në negociata, sipas Axios, janë përfshirë ndërmjetës nga Pakistani, Egjipti dhe Turqia. Po ashtu, thuhet se shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, ka qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë natës me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë iranian ka përjashtuar mundësinë që hapja e Ngushticës së Hormuzit të jetë pjesë e një armëpushimi të përkohshëm, raporton Reuters.
Këto zhvillime vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump vendosi një afat të ri për Iranin që të rihapë Ngushticën e Hormuzit deri të martën në orën 20:00 sipas kohës së SHBA-së (01:00 e mëngjesit të së mërkurës sipas kohës së Britanisë).
Megjithatë, ende nuk dihen detajet kryesore të marrëveshjes së mundshme, përfshirë çështjet e hapura si sulmet ushtarake, programi bërthamor iranian dhe roli i Ngushticës së Hormuzit.
Po ashtu, nuk është e qartë si do të përfshihen vendet e Gjirit Persik dhe nëse ka afate konkrete për përgjigjen e palëve.