Në kohën kur doli aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, deputetja e Vetëvendosjes, Arbërësha Kryeziu-Hyseni, ishte në studion e emisionit Five të televizionit Dukagjini.
Kështu, në pyetjen e radhës, ndonëse s’e kishte lexuar arsyetimin, deputetja, sërish përgjegjësinë tha që e kanë deputetët opozitarë, që presidenti të zgjidhet brenda afatit të mbetur.
“besoj që brenda 34 ditëve, do shohim përpjekje prej partive opozitare, që për herë të parë ta vendosin interesin e Kosovës, para atyre personale”, ka theksuar Arbëresha Kryeziu-Hyseni, deputete e Vetëvendosjes.
Për këtë çështje, ajo vlerësoi që duhet kompromis.
“Kush po thotë që ne nuk jemi të gatshëm për kompromis… ata duhet të jenë”, ka deklaruar Kryeziu-Hyseni.
Ndërsa Egnesa Vitia, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani ka shpërndarë një pjesë të aktgjykimit, duke shkruar se “siç ka thënë presidentja, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual”.
Dukagjini ka kontaktuar me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda, i cili ka thënë se aktgjykimi do të analizohet nesër në një mbledhje të kryesisë së partisë.
Ndërsa anëtari i kryesisë së LDK-së, Shkëmb Manaj ka thënë se aktgjykimi ka definuar katër aspekte për procedurën e zgjedhjes së presidentit.
“Është rrëzuar kërkesa e Qeverisë dhe VV-së që i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese që t’i detyron deputetët të marrin pjesë dhe të votojnë në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit. Afati për zgjedhjen e Presidentit të ri duhet të jetë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Ky është afat detyrues (konfirmim i dekretit të Presidentes). Përveç rastit kur nuk janë 60 ditë të plota nga dita e konstituimit të Kuvendit të Republikës, afati fillon nga dita e konstituimit të Kuvendit”, ka deklaruar ai.
Nga AAK-ja, deputetja Albana Bytyqi i ka thënë Dukagjinit se përgjegjësinë për nxjerrjen e një kandidati konsensual e ka partia në pushtet.
Aktgjykimi i Kushtetueses ka hyrë në fuqi nga sot.