Reshjet e shiut përkeqësojnë gjendjen e palestinezëve në Gaza, thotë OKB-ja

Reshjet e forta të shiut gjatë javës së fundit kanë rënduar edhe më tej kushtet tashmë tejet të vështira të qindra mijëra palestinezëve të zhvendosur në Rripin e Gazës, kanë bërë të ditur agjencitë e Kombeve të Bashkuara.

Zëdhënësi i UNICEF-it, Jonathan Crickx, i tha BBC-së se moti gjatë natës ka qenë “i tmerrshëm”, me reshje aq intensive sa në disa zona pranë zyrës së tij kishte parë deri në 15 centimetra ujë të grumbulluar në tokë, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Ai shprehu shqetësim të madh se fëmijët që jetojnë në tenda dhe strehë improvizuese, me rroba të lagura, rrezikojnë seriozisht nga hipotermia dhe sëmundje të tjera.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, ka njoftuar se një foshnjë ka humbur jetën nga hipotermia, ndërsa të paktën 11 persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e shembjes së ndërtesave të dëmtuara nga lufta, për shkak të motit të ashpër.

Agjencitë e OKB-së kanë shtuar dërgesat me tenda, batanije dhe veshmbathje që nga fillimi i armëpushimit në Gaza, para nëntë javësh, por theksojnë se ndihma ende nuk është e mjaftueshme për të përballuar nevojat.

Sipas vlerësimeve të OKB-së dhe partnerëve të saj, rreth 55 mijë familje janë prekur deri tani nga reshjet, me strehë dhe sende personale të dëmtuara ose të shkatërruara. Më shumë se 40 strehimore emergjente janë përmbytur rëndë pas reshjeve të forta të ditëve të hënë dhe të martë, duke detyruar shumë familje të zhvendosen sërish.

Jonathan Crickx shtoi se shumë tenda rrezikojnë të shkatërrohen ose të merren nga era e fortë, pasi janë ndërtuar vetëm me copa plastike ose najloni të fiksuara mbi struktura të brishta druri.

UNICEF ka arritur të fusë më shumë ndihma gjatë armëpushimit, përfshirë 250 mijë komplete rrobash dimërore për fëmijë, 600 mijë batanije dhe 7 mijë tenda, por sipas Crickx kjo ende nuk mjafton. “Po punojmë pa u ndalur për të sjellë dhe shpërndarë ndihmat, por përmasat e nevojave janë aq të mëdha sa mijëra njerëz dhe fëmijë vazhdojnë të vuajnë çdo natë,” paralajmëroi ai.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se një foshnjë dyjavëshe, Mohammed Abu al-Khair, ka ndërruar jetë nga hipotermia të hënën, dy ditë pasi ishte shtruar në spital dhe ishte vendosur në kujdes intensiv. Ndërkohë, sipas autoriteteve lokale të Mbrojtjes Civile, numri i viktimave nga shembjet e ndërtesave dhe i ftohti mund të jetë më i lartë, deri në 17 persona, përfshirë katër fëmijë.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq e cilësoi “shumë shqetësuese” shembjen e ndërtesave të dëmtuara për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe theksoi nevojën për ndihmë humanitare të shtuar dhe afatgjatë, për ushqim, strehim dhe riparimin e infrastrukturës kritike.

Nga ana tjetër, COGAT – organi ushtarak izraelit që kontrollon kalimet kufitare të Gazës – ka hedhur poshtë akuzat për kufizim të qëllimshëm të ndihmave, duke deklaruar se çdo ditë hyjnë në Gaza nga 600 deri në 800 kamionë me furnizime humanitare.

Lufta në Gaza shpërtheu pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Që nga ajo kohë, më shumë se 70.600 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë së territorit.

Shija e redaktorit

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Shkolla “Ismail Qemali” anëtarësohet në UNESCO Education Charter Club

Shkolla fillore e mesme e ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë ka marrë konfirmimin zyrtar për themelimin e “Ismail Qemali UNESCO Education Charter Club”, duke...

Të fundit nga rubrika