Edhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters ka raportuar se Parlamenti i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë Albin Kurtin si kryeministër të vendit të dielën, duke rritur mundësinë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, pas një bllokade politike e muaj të tërë për konstitumin e Kuvendit.
Siç ka shkruar Reuters, Kurti – lider i lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht kryeministër në detyrë – mori vetëm 56 vota nga 120 deputetë, duke mbetur pesë vota larg shumicës së nevojshme për formimin e qeverisë së re.
Agjencia thekson se partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – votuan kundër kandidaturës së Kurtit.
Ende mbetet e paqartë, shkruan Reuters, nëse presidenti i vendit do t’i kërkojë partisë së dytë apo të tretë në renditje të formojë qeverinë, megjithëse të dyja këto parti kanë deklaruar se mendojnë që duhet të mbahen zgjedhje të reja.
Reuters kujton gjithashtu se opozita ka refuzuar të qeverisë me Kurtin, duke e kritikuar për mënyrën se si ka menaxhuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët perëndimorë dhe për veprimet në veri të vendit, ku jeton një pakicë serbe.
Reuters përkujton se Kurti, një lider i majtë dhe nacionalist shqiptar, erdhi në pushtet në vitin 2021, kur Vetëvendosje fitoi mbi 50 për qind të votave, duke siguruar shumicën prej shtatë vendesh në Kuvend.
Në fund, Reuters thekson se Kosova, shteti më i ri i Evropës, shpalli pavarësinë në vitin 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, pas një fushate bombardimesh 78-ditore të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.