Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka publikuar të dhënat e përditësuara mbi numërimin e votave deri në 88 për qind të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
Sipas këtyre rezultateve, deri në orën 06:00 të mëngjesit, janë numëruar 88% e votave të hedhura në kutitë e votimit.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41.29% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.83%.
Në vendin e tretë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.75%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 7.68% të votave.
Ndërkohë, Lista Serbe ka marrë 3.96% të votave, Koalicioni për Familje 2.31%, dhe Partia Demokratike Turke e Kosovës 0.51%.

Dalja në votime ka qenë 42%, një përqindje që nuk përfshin ende votat me kusht dhe ato të diasporës.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote për këto zgjedhje ishte 1,970,944, ndërsa për herë të parë të drejtën për të votuar e kanë pasur 125,852 votues të rinj.
Procesi i numërimit të votave po vazhdon, dhe pritet që në orët në vijim të publikohen rezultatet përfundimtare.