Rinis dialogu Izrael-Siri: Raundi i pestë i bisedimeve pritet të mbahet në Paris

Raundi i pestë i bisedimeve mes Izraelit dhe Sirisë pritet të nisë të hënën në Paris, duke shënuar takimet e para pas gati dy muajsh ndërprerjeje, pasi përparimi drejt një marrëveshjeje sigurie mes dy vendeve kishte ngecur.

Sipas raportimit të Axios, negociatat pritet të zgjasin dy ditë dhe do të ndërmjetësohen nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Sirinë, Tom Barrack, i cili njëkohësisht është edhe ambasador amerikan në Turqi.

Burime izraelite kanë bërë të ditur se presidenti amerikan Donald Trump, i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje sa më shpejt, i ka kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu rifillimin e bisedimeve gjatë takimit të tyre javën e kaluar në Mar-a-Lago.

Megjithëse Netanyahu ndan qëndrimin e Trumpit se një marrëveshje duhet të arrihet së shpejti, ai ka theksuar se Izraeli nuk do të lëvizë nga “vijat e kuqe” që lidhen me garantimin e sigurisë përgjatë kufirit me Sirinë.

Pas dorëheqjes së ministrit për Çështje Strategjike, Ron Dermer, i cili kishte udhëhequr raundet e mëparshme të bisedimeve, Netanyahu ka emëruar ambasadorin izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, si kryesues të delegacionit izraelit.

Në ekip përfshihen gjithashtu sekretari ushtarak i kryeministrit, gjeneralmajor Roman Gofman, si dhe këshilltari në detyrë për Siguri Kombëtare, Gil Reich. Gofman është propozuar nga Netanyahu për të qenë shefi i ardhshëm i Mossadit. Palën siriane do ta përfaqësojë ministri i Jashtëm Asaad al-Shaibani.

Shtysë për rifillimin e negociatave kanë dhënë edhe zhvillimet në terren. Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024, ushtria izraelite mori kontrollin e disa zonave në jug të Sirisë, kryesisht brenda zonës tampon të monitoruar nga OKB-ja.

Izraeli ka argumentuar se kjo masë ishte e nevojshme për të parandaluar që zona të binte në duart e grupeve terroriste dhe ka deklaruar se marrëveshja e shkëputjes së vitit 1974 është bërë përkohësisht e pavlefshme pas ndryshimit të pushtetit në Damask.

Forcat izraelite kanë operuar deri në rreth 15 kilometra brenda territorit sirian, me qëllim kapjen e armëve që, sipas Izraelit, mund të përbëjnë kërcënim serioz nëse bien në duart e “forcave armiqësore”.

Megjithatë, përpjekjet diplomatike janë përballur me pengesa të mëdha.

Në shtator kishte optimizëm për një marrëveshje të mundshme, por Reuters raportoi se bisedimet ngecën për shkak të kërkesës izraelite për hapjen e një “korridori humanitar” drejt provincës Sweida, ku dhuna sektare ka shkaktuar qindra viktima nga komuniteti druz, të cilin Izraeli është zotuar ta mbrojë. Siria e refuzoi këtë kërkesë, duke e cilësuar si cenim të sovranitetit të saj.

Raporte të mëvonshme sugjeruan se Izraeli ka ashpërsuar qëndrimet, duke kërkuar vendosjen e marrëdhënieve të plota diplomatike, një hap që Siria ka deklaruar se aktualisht nuk është i mundur.

Ndërkohë, Trump në dhjetor paralajmëroi Izraelin që të mos destabilizojë Sirinë dhe udhëheqjen e saj të re, duke shprehur kënaqësi për performancën e vendit nën presidentin e ri Ahmad al-Sharaa.

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika