Procesi i rinumërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit po i afrohet përfundimit. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani janë rinumëruar mbi 80 për qind e vendvotimeve, respektivisht 2 061 nga gjithsej 2 557.
Rinumërimi i plotë u vendos pas evidentimit të manipulimeve gjatë rinumërimit të pjesshëm, ku u konstatua shtim apo humbje e qindra votave për kandidatë të ndryshëm brenda partive politike. Manipulimet më të mëdha janë evidentuar te kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës. Për këto raste, Prokuroria ka nisur hetime, ndërsa në Prizren janë paraburgosur 23 persona.
Pavarësisht rinumërimit, lista e deputetëve të partive shqiptare ka mbetur e pandryshuar. Ndryshimi i vetëm është te komunitetet joshumicë, ku deputeti Fikrim Damka ka humbur mandatin, ndërsa ulësen e ka fituar Ergul Mazrek.
Rinumërimi po vazhdon edhe në 11 komuna dhe pritet të përfundojë të dielën. Më pas do të shqyrtohen ankesat eventuale, përpara certifikimit të rezultateve. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi paralajmëroi se afatet procedurale të ankesave që mund të shkojnë në adresë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mund të vonojnë krijimin e institucioneve të reja. E një vonesë e tillë mund të rrezikojë humbjen e rreth 90 milionë eurove nga Bashkimi Evropian./RTK