Roja bregdetare italiane: Nëntë të vdekur nga fundosja e anijes në Mesdhe

Nëntë persona, përfshirë një foshnje, vdiqën kur anija e tyre u fundos ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie

Fotografi arkivi e migrantëve pranë anijes së tyre të fundosur gjatë një operacioni shpëtimi në ishullin Lampedusa më 11 gusht, 2022/AP

Nëntë persona, përfshirë një foshnje, vdiqën kur anija e tyre u fundos ndërkohë që po përpiqeshin të kalonin Detin Mesdhe gjatë një stuhie. Fati i 15 personave të tjerë ende nuk dihet, sipas njoftimit të rojes bregdetare italiane të enjten.

Autoritetet e Maltës kërkuan ndihmën e Italisë të mërkurën pas fundosjes së anijes rreth 50 kilometra në juglindje të ishullit të Lampedusës.

Roja bregdetare italiane njoftoi se ka dërguar një ekip të saj tek vendi i ngjarjes, duke “shpëtuar 22 të mbijetuar dhe gjetur trupat e 9 personave, përfshirë atë të një foshnjeje”.

Operacioni i shpëtimit “ishte i vështirë për shkak të motit të keq dhe kushteve të rënda në këtë zonë, me dallgë që arrinin lartësinë deri në 2.5 metra”, sipas njoftimit të rojes bregdetare.

Përkatësia kombëtare e personave në anije nuk dihet ende, por ishulli Lampedusa, që shtrihet në Mesdhe midis Tunizisë, Maltës dhe ishullit italian të Sicilisë, është porti i parë për shumë migrantë që synojnë të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian.

“Fundosje e tmerrshme e anijes në afërsi të Lampedusës gjatë një misioni shpëtimi”, shkroi në rrjetin social X zëdhënësi i UNHCR-së Filippo Ungaro të mërkurën mbrëma. Të mbijetuarit, u dërguan në Lampedusa, “me hipotermi dhe të tronditur”, shtoi ai.

Një aeroplan i rojës bregdetare italiane po vëzhgon zonën përreth anijes së fundosur për persona të tjerë, fati i të cilëve nuk dihet.

Në një operacion tjetër, roja bregdetare njoftoi se ka shpëtuar 37 migrantë “të cilët ishin në mëshirën e dallgëve të detit në një varkë të vogël druri rreth 7 metra e gjatë” në afërsi të bregjeve të Lampedusës të mërkurën. /VoA

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika