As krismat e armës, nuk ndalën përleshjen mes disa personave në Podujevë, mbrëmjen e së dielës.
Nga shkrepjet e armës u plagosën tre persona, ndërkohë që jo të gjithë u arrestuan nga Policia e Kosovës.
Videot e publikuara në rrjete sociale tregojnë përleshjen që ndodhi mes disa të rinjëve.
“ARMËMBAJTJE PA LEJE&LËNDIM I RËNDË TRUPOR
Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 04.01.2026, 20:30. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete dy grupe rivale pesë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe një viktimë mashkull kosovar. Gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre ku si pasojë ka plagosur dy nga të dyshuarit dhe viktimën. Dyshohet se në këtë rast kanë marr pjesë edhe tre persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar dhe gjenden në arrati. Tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy nga të dyshuarit tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes.”– Policia e Kosovës
Ndërkohë që në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, thanë se kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar 3 persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” në bazë të nenit 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërsa të tjerët ndodhen ende në arrati ku 2 prej tyre janë persona të identifikuar dhe 3 të paidentifikuar. Ndërkohë në këtë drejtim Prokurori i Shtetit është duke i ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë çështje penale.”– Prokuroria Themelore e Prishtinës
Të plagosurit janë dërguar në QKUK për trajtim dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.